Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, po merr pjesë në takimin e dytë të Platformës së Paqes për Ballkanin, ku bashkë me ministrat e punëve të jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor po shkëmbejnë pikëpamje mbi çështje me interes të përbashkët.
Në këtë forum, Gërvalla theksoi se bashkëpunimi dhe siguria rajonale përbëjnë shtyllën themelore të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës dhe janë parakusht për stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor.
Duke marrë parasysh realitetin ndërkombëtar të karakterizuar nga pasiguri dhe sfida gjeopolitike, ajo vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit rajonal të qëndrueshëm si një domosdoshmëri strategjike.
“Bashkëpunimi me Turqinë, sidomos në fushën e mbrojtjes, është strategjik, transparent dhe i orientuar drejt paqes; ai synon forcimin e kapaciteteve institucionale dhe kontributin në misionet ndërkombëtare paqeruajtëse”, tha ministrja Gërvalla.
Duke vlerësuar rolin e Platformës së Paqes për Ballkanin si forum që dëshmon se sfidat e sigurisë duhet të adresohen përmes dialogut dhe diplomacisë, Gërvalla theksoi se Kosova e përcjell këtë mesazh në çdo forum rajonal dhe ndërkombëtar.
“Kosova e përcjell këtë mesazh në çdo forum rajonal dhe ndërkombëtar, duke u angazhuar për barazi, paqe dhe siguri të qëndrueshme”, u shpreh ajo.
Ministrja Gërvalla rikonfirmoi angazhimin e Republikës së Kosovës për bashkëpunim gjithëpërfshirës, forcim të stabilitetit rajonal dhe avancim të dialogut si instrument strategjik për paqen, sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit.

















