Kryediplomatja Donika Gërvalla
Kryediplomatja Donika Gërvalla gjatë diskutimit në Këshill të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara sot në Nju Jork ka nxjerrë fotografinë e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq – i cili sot po përfaëson Serbinë – dhe terroristit Milan Radoiçiq, të cilët u kapën duke pirë kafe në Beograd pas sulmit terrorist në Banjskë.
Ajo tha se Gjuriq ishte dorë e djathtë e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në luftën ndaj Kosovës, raporton Gazeta Express.
“Duhet të flasim edhe për luftën se si duhet të parandalojmë një luftë të ardhshme në Europë për të cilën disa thonë se Putini mund ta ketë Ballkanin shënjestrën e ardhshme. Dora e zgjatur e Putinit, Vuçiq vazhdon të mbrojë terroristët që udhëhoqën sulmin paramilitar të Serbisë kundër Republikës së Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar. Lideri i tyre Radoiçiq, një prej njerëzve më brutalë e më të pasur në Serbi, jo i pasur duke trashëguar pasuri nga prindërit e tij, por me anë të krimit është angazhuar në zhvatje dhe vrasje të qytetarëve serbë të Kosovës. Kosova kërkon ekstradimin e tij. Ai është përgjegjës për vrasjen e zyrtarit tonë policor”.
“Këtë Gjuriq e di mjaft mirë nga vitet e tij të shumta si dorë e djathtë e Vuçiqit në luftën kundër Kosovës gjatë viteve 2013-2020. Gjuriq dhe Radoiçiq ishin aleatë në shtypjen e qytetarëve serbë të ndershëm që donin vetëm jetë normale. Gjuriqi ishte në krye kur Radoiçiqi u angazhua në vrasjen e politikanit më të shquar serb, Oliver Ivanoviq”.
“Gjuriqi takohej me të prapë tash së voni duke pirë kafe në Beograd me të njëjtin kriminel e terrorist. E kjo tregon llojin e karakterëve me të cilët ballafaqohemi. Kush këtu është në rregull me të pirit kafe me një vrasës brutal? Ky është Radoiçiqi dhe ky tjetri është tashmë ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq”, tha Gërvalla derisa shfaqi fotografinë e tyre.
Ajo tha se sulmi terrorist në Banjskë ishte bërë me qëllim të aneksimit të veriut të Kosovës.
“Aneksim i një vendi paqësor me mijëra trupa të NATO-s. Sulmi i parë i aleancës së Putinit ndaj një vendi me prezencë të NATO-s. Është test për Perëndimin. Test për ato që pritet të vijnë. Vuçiq dhe Putin nuk janë dorëzuar”.