Krye diplomatja kosovare Donika Gërvalla, gjatë fjalimit në Këshillin e Sigurimit të martën ka treguar arsyen pse shefi i diplomacisë serbe Nikola Selakoviq nuk po ia përmend emrin.
Gërvalla e emocionuar tha se UDB-ja ia kishte vrarë babain.
“Nuk desha të iu mërzis me këto sulme personale, por nuk mund të kaloj këtë. Selakoviq nuk arriti as të më thërras emrin, emri im është Gërvalla, ka arsye që nuk mund të më thërras emrin tim. Babai im është vrarë nga shërbimi i sigurisë së Serbisë”, deklaroi ajo në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Kjo deklaratë e Gërvallës erdhi pas “përplasjes” që pati me Selakoviq lidhur me deklaratën e këtij të fundit, i cili tha se “Serbët po vuajnë. Prandaj ngriten në protesta. Qeveria e Kosovës nuk po i mbikëqyrë në mënyrë të barabartë”.
Gërvalla iu kundërpërgjigj duke thënë se Aleksandar Vuçiq ka qenë Ministër i Propagandës në kohën e Millosheviqit.
Ajo po ashtu kujtoi fjalë për fjalë edhe deklaratën e famshme të tashmë presidentit serb gjatë vitit 1995, ku në parlament kishte thënë se “për secilin serb të vrarë, ne do t’i vrasim 100 myslimanë”.
“Ky është kërcënim ndaj paqes”, theksoi mes tjerash Gervalla.