Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, ka thënë se Kosova nuk kërkon privilegje ose rrugë të shkurtra për t’u bërë pjesë e BE-së.
Kryediplomatja kosovare këto deklarata i ka bërë në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni, i cili mbledh liderët e rajonit dhe vendeve të tjera evropiane.
“Ne nuk po kërkojmë privilegje ose rrugë të shkurtra, por po kërkojmë që të na vlerësoni me vlerat që i keni për vete dhe të na lejoni të bëhemi anëtarë të këtij unioni në momentin kur ne përvetësojmë të njëjtat vlera”, citohet të ketë thënë Gërvalla.
Në Forumin e Bledit po marrin pjesë edhe emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ai i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Emisari amerikan ka thënë se nuk ka alternativë për integrimin evropian dhe fokusi duhet të jetë në procesin e zgjerimit, duke shtuar se e mbështesin çdo iniciativë që është e hapur për të gjithë dhe që përfshin Ballkanin Perëndimor.