Gërvalla: Ndërkombëtarët t’i japin mesazhin Vuçiqit që të mos vajtojë, por t’i kryej detyrat e shtëpisë

E publikuar: 13/09/2024 18:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla është shprehur se Banjska dëshmoi dështimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Po ashtu, Gërvalla theksoi se Vuçiq dështoi aq shumë, sa dhe serbët e Kosovës e kuptuan që atij nuk i intereson për problemet e tyre, njofton Klankosova.tv.

“Banjska ka dëshmuar disa gjëra, e para ka dëshmuar që Kosova është shtet Sovran, i cili mund të mbrojë jo vetëm kufijtë dhe qytetarët e vet, por edhe sovranitetin. Po ashtu në Banjskë Vuçiqi ka dështuar tërësisht, sepse jo vetëm ka dështuar grupi i tij kriminal ta bëjë atë për të cilën është nisur, por në të njëjtën kohë dështuar me serbët e Kosovës, të cilët përfundimisht e kanë kuptuar që Aleksandar Vuçiq jo vetëm që nuk kujdeset për ta, jo vetëm që nuk i interesojnë problemet e tyre, por që mundohet kurdo që ka mundësi t’i shfrytëzojë”, u shpreh ministrja në DPT te Fidani në Klan Kosova.

“Shihni aksionin e fundit në kufijtë me Kosovës, i cili demonstron dy gjëra, e para demonstron që për dallim nga e kaluara kur bllokadat janë bërë brenda territorit të Kosovës, duke keqpërdorur dhe qytetarët të Kosovës serbë, bllokadat e fundit janë bërë jashtë kufijve dhe ka pasur numër modest të serbëve”.

Tutje Gërvalla thotë se ka ardhur koha që Bashkësia Ndërkombëtare t’i jap mesazhin e qartë presidentit serb që të mos vajtojë, por që t’i kryej detyrat e shtëpisë e të mos destabilizojë fqinjët.

“E kuptojmë që tani Vuçiqi ka nevojë për teatër, ai e ka zakon të vajtojë e ta dëgjojë e gjithë bota, sidomos se ne në Kosovë jemi të padrejtë me të, por ka ardhur koha që të jepet mesazhi i duhur nga Bashkësia Ndërkombëtare për t’i thënë mjaft vajtove, ulu kryej detyrat e shtëpisë e mos kërcëno më fqinjët as në Kosovë, e as në Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe mos u merr me destabilizim të fqinjëve”, theksoi Gërvalla.

“Ka ardhur vërtetë koha që t’i jepet fund, nuk mund të blihet paqja në rajon me licium”. /klankosova.tv