Gërvalla: Ka deputetë që s’do votojnë Thaçin edhe pse ka presione nga ai

E publikuar: 24/02/2016 23:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetët e LDK-së, sipas Donika Gërvallës, e kanë mundësinë të tregojnë se në cilën rrugë do të shkojë LDK-ja të premten, kur do të votohet Hashim Thaçi për president të vendit. Ajo ka thënë se brenda deputetëve ka shumë të dëmtuar nga Thaçi dhe SHIK-u, kështu që sipas Gërvallës, disa deputetë nuk do të votojnë për Thaçin.

Gërvalla ka thënë se udhëheqja e LDK-së është e padenjë dhe se Mustafa e ka çuar partinë buzë greminës, transmeton Koha.net. Ajo ka treguar premtimin e thyer të Mustafës nga fushata zgjedhore.

“Ka qenë premtim konstant që votat që shkojnë në LDK, nuk do të shkojnë në PDK. Mustafa këtë e ka thyer”, ka thënë Gërvalla në “Interaktiv” të KTV-së, duke vazhduar se ka shumë deputetë të LDK-së nuk e dinë as se çka përmban marrëveshja e koalicionit PDK-LDK.

Ajo ka folur për elektoratin e LDK-së dhe për disponimin e tyre. Shumë deputetë të LDK-së, tha Gërvalla, që nuk do të votojnë për Thaçin, duke shtuar se ata po kërcënohen.

“Dita e premte do jetë ditë e dështimit të madh të Thaçit. Shumë deputetë të LDK-së nuk do ta votojnë Thaçin. Deputetët janë nën presion, ata po kontaktohen edhe nga Hashim Thaçi”, ka thënë Gërvalla.