Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schwarz, ka reaguar pasi Kosova ka kaluar me sukses hapin e parë në synimin për anëtarësim të plotë në Këshillin e Evropës.
“Në Paris u mbajt sot votimi në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ku para pak minutash u miratua me shumicë mbresëlënëse votash opinioni, i cili rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë kusht shtesë. Të gjitha propozimet e sotme për vendosjen e parakushteve të ndryshme janë refuzuar. Raporti i aprovuar sot rekomandon që Kosova, bazuar në nenit 4 të Statutit të Këshillit të Evropës të ftohet si shtet (state), e jo si vend (country).”
Ajo ka thënë se tash është e hapur rruga për votimin në Asamblenë Parlamentare.
“Tani është e hapur rruga për votimin në Asamblenë Parlamentare , i cili mbahet në mesin e muajit prill.”
Suksesi i sotëm, Gërvalla ka thënë se “është rezultat jo vetëm i punës së palodhur të institucioneve të Republikës sonë dhe mbështjetjes kolosale të miqve të shumtë të Kosovës”.
Kryediplomatja ka shkruar se “Kosova është e gatshme dhe e përgatitur për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës”.
“Sa më shpejt, aq më mirë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.”
Ajo ka thënë se opinioni kërkon largimin e fusnotës, që nga viti 2008 është përdorur gjithmonë kur është përmendur Kosova në KiE.
“P.S. Opinioni, ndër hapa të tjerë të rëndësishëm për trajtimin e Kosovës si shtet të barabartë me të gjitha shtetet e tjera, kërkon largimin e fusnotës, e cila që nga viti 2008 është përdorur gjithmonë kur është përmendur Kosova në Këshillin e Evropës.”