Gërvalla e konfirmon: Ka propozim franko-gjerman, është bazë për bisedime, s’flitet për ulëse në OKB

E publikuar: 09/10/2022 21:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Donika Gërvallla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diaporës, e ka pranuar që ka një propozim nga Franca dhe Gjermania për një kornizë të re të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo e ka pranuar ekzistencën e dokumentit, por jo edhe përmbajtjen të cilën e ka shpalosur Presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Madje jep përqindje – thotë se veç 10 për qind është e saktë.

“Ajo çfarë ka thënë presidenti Vuçiq rreth ulëses në OKB nuk është e vërtetë sepse propozimi është i hartuar me qëllim krejt tjetër, nuk ka pika 1 2 3 4 5, deklaroi Gërvalla për Klan Kosovën, të mërkurën.

Për dokumentin e publikuar muajin e kaluar kishte folur edhe kreu i ekzekutivit, Albin Kurti.

Thoshte se dokumentet e tilla publikohen për të matur pulsin e politikanëve dhe qytetarëve.

“Qarkullojnë dokumente të ndryshme, por unë besoj se nuk është as e dobishme as e drejtë, që unë t’i komentojë ato; dokumente të cilat nuk kanë autorë, por bëhen për të matur pulsin e politikanëve dhe të qytetarëve”, kishte thënë Kurti më 21 shtator.

Në shkrimin e publikuar në Albanian Post thuhej se gjermanët dhe francezët kishin sjellë një dokument që parashihte një marrëveshje mes dy vendeve përmes të cilës Kosova do të përfitonte njohjen e pesë vendeve të Bashkimit Evropian.

Ndërkaq, Serbia do të njihej si “forca kryesore ekonomike dhe politike në rajon”.

Po ashtu thuhej se “BE-ja s’është e gatshme ta pranojë Serbinë tash për tash”, përdorej strategjia graduale deri te arritja e marrëveshjes përfundimtare.

Gjermania dhe Franca kanë emëruar emisarë për çështjen e dialogut Kosovës-Serbi, krahas punës së Miroslav Lajçak si përfaqësues i BE-së për dialogun.

Megithatë, nga Parisi dhe Berlini është mohuar propozimi i ri.

Ideja e tillë ka qarkulluar edhe në Beograd, Vuçiq kishte thënë se “e ka pranuar një propozim”./Express