Me datën 23 dhe 24 prill do fillojnë gërmimet në dy anët e lumit të Novi Pazarit ku dyshohet për varrezë masive. Siç deklaroi kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Prenk Gjetaj, në këtë varrezë masive dyshohet se janë varrosur rreth 100 trupa të shqiptarëve.
“Të enjten nisin kërkimet për një varrezë të re masive në Serbi. Rreth 100 trupa mendohet të jenë varrosur në të dy anët e lumit në Novi Pazar dhe e vërteta rreth tyre dhe rreth kësaj varreze masive do të mësohet në këtë javë. Më 23 dhe 24 prill do të ketë gërmime në disa lokacione në Novi Pazar, ku mendohet të jenë trupat e shqiptarëve të vrarë, si dhe shqiptarë të rrëmbyer derisa po largoheshin nga Kosova”, tha Gjetaj.
Gjetaj bëri të ditur se Serbia ka lejuar që të hulumtohet dhe të gropohen lokacionet e dyshuara për varre masive, por nuk ka specifikuar numrin e saktë të personave që mund të gjenden aty.
Në anën tjetër, kryetari i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, Prenk Gjetaj, ka thënë gjithashtu se as çështja e Rudnicës nuk është kapitull i mbyllur, pasi që dyshohet se atje akoma kanë mbetur pa u gjetur trupa të shqiptarëve.