Për disa vjet me radhë, gjendja financiare në Telekomin e Kosovës është jostabile. Por stabiliteti financiar i kësaj ndërmarrjeje publike është lëkundur edhe më shumë kohëve të fundit, si pasojë e borxheve milionëshe.
Por Kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit të Kosovës ka thënë se pavarësisht kësaj gjendje të rënduar financiare, ka shpresë për këtë ndërmarrje publike.
“Ashtu si është informuar edhe opinioni, në Telekomin e Kosovës nuk është një gjendje e mirë financiare njëkohësisht ka problematika të ndryshme”.
“Unë e kam gjetë Telekomin me 60 milionë euro borxhe, ndoshta pak më shumë se 60 milionë euro”.
“Çdo ditë ka përmbaruesë që trokasin në dyert e Telekomit që të marrin borxhet e tyre, me disa kontrata goxha të vështira, të hartuara në atë formë që janë shumë të vështira për qëndrueshmërinë e Telekomit”.
“Njëkohësisht kemi numër të madh të punëtorëve që janë pa përshkrim të vendeve të punës”.
“Megjithatë në Telekomin e Kosovës ka shpresë. Ne kemi bërë Strategji Dalëse që është dërguar edhe në Qeveri ku kemi marrë fillimisht pesë pika. Gjatë këtyre dy muajve, kemi rritur edhe në dy pika të tjera – investimet emergjente të domosdoshme në teknikë, edhe pse gjatë viteve të kaluara ka pasë investime marramendëse por nuk ka pasë rezultat”.
“Ne kemi punuar intensivisht që këtë Strategji Dalëse t’i funksionojmë si masa – fillimisht kemi bërë inkasimin urgjent të borxheve, uljen e shpenzime operative që kemi punuar në masë të madhe si psh. tek lokalet me qira kemi ulë shpenzimet për 30 %, kemi ulë shpenzimet e marketingut, donacionit dhe ulje te tjera drastike që kemi bërë sepse jemi munduar të bëjmë kursime”.
“Kemi shumë institucione që kanë IPKO-n ose një operator tjetër por duan që të kenë Telekomin e Kosovës ose VALA-n dhe ne jemi duke punuar në këtë aspekt ku kemi nënshkruar shumë kontrata me institucione të ndryshme”.
Begolli si i ftuar në Info Magazine të Klan Kosovës është zotuar se do të punojë fort dhe do t’i shkojë deri në fund punëve që ka nisur.
“Duhet të bëjmë implementimin sa më të shpejtë të planit të ristrukturimit. Telekomi i Kosovës numëron rreth 2400 punëtorë ku kemi gradime mbi gradime duke rezultuar me punëtor të shitjes që ka gradë 5 por edhe me gradë 8”.
“Kjo ka qenë një demotivitim për punëtorët por unë zotohem se në fazën e ristrukturimit që jemi do t’i bëjmë punëtorët krenar sepse ne besojmë se punëtorët janë aset në Telekom. Edhe për ata që nuk vijnë në punë ose kanë degraduar në një formë, do t’i japim zgjidhje atyre rasteve me të gjitha procedurat ligjore”.
“Unë do t’i shkoj deri në fund që të ketë displinë tek punëtorët, gradimet të bëhen në formën më të mirë të mundshme, të ketë nivelizim të gradave derisa nuk jam për uljen e pagave në mënyrë drastike”.