Drejtori i lajmeve në televizionin Nova S, Slobodan Georgiev, në një intervistë për N1 ka thënë se presidentit të Serbisë, Aleksander Vucic i është zvogëluar hapësira e manovrimit në procesin e dialogut meqë pas dhjetë viteve zvarritje ai e ka sjellë Serbinë në “merre ose lërë”.
Siç ka thënë Georgiev tashmë politika e Vuçiq ka bërë politikën e blerjes së kohës dhe se tashmë ajo kohë ka mbaruar.
“Ai na tha se nëse nuk e pranojmë propozimin evropian (për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës) do të vuajmë”. Nuk besoj se do të lëndohemi, por ai do të lëndohet”, ka thënë gazetari serb për N1.
Georgiev rikujton se plani i zbatimit parasheh që i gjithë procesi të përfundojë në 150 ditët e ardhshme, por kjo nuk do të thotë se do të ndodhë.
“Është një proces që ka vazhduar që nga vera e kaluar dhe duhet të përfundojë në fund të kësaj vere”, është shprehur ai.
Gerogiev ka thënë se Vuçiq tani është duke e menduar nëse mund të futet në aventurën e refuzimit të marrëveshjes.
“Nuk mund të dimë se çfarë ka në kokën e Vuçiqit, përveç se ai duhet të jetë sa më gjatë aty”, ka shtuar tutje Georgiev.
Sa i përket raundit të ardhshëm të dialogut më 18 mars në Ohër , në të cilin të dyja palët duhet të bien dakord për planin e zbatimit, ai thotë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti me deklaratat e tij “po e inkurajon Vuçiqin, duke e shtyrë atë të heqë dorë nga plani”.
“Besoj se Vuçiq do të jetë bashkëpunues dhe pastaj do të jetë i pari që do të dalë para gazetarëve dhe do të thotë se nuk është pajtuar për asgjë”, ka përfunduar Georgiev./GazetaExpress/