Gazetarët prapë “në shënjestër”, kërcënohen me vrasje dy prej tyre – thotë AGK-ja

E publikuar: 11/11/2023 17:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Disa orë pasi një gazetare dhe kameramani i Insajderit u rrahën nga një hoxhë në Vushtrri, edhe dy gazetarë tjerë janë vënë “në shënjestër”.

AGK ka bërë të ditur se gazetarët e medias lokale nga Vitia, Plus TV, Fatos Hetemi dhe Irfan Maliqi janë kërcënuar me vrasje.

Redaksia e Plus TV, e ka njoftuar Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës se mesazhet kërcënuese me vrasje i kanë pranuar nga një llogari në rrjetin social Facebook, pas shkrimeve të fundit të kësaj medie lidhur me dy xhamitë në Komunën e Vitisë.

“Mesazhet kërcënuese me vrasje janë në drejtim drejtorit Fatos Hetemi dhe gazetarit Irfan Maliqi nga PlusTV…Këto kërcënime ndërlidhen me serinë e raportimeve të televizionit Plus lidhur me problemet e shqetësimet që kanë të bëjnë me xhamitë në Skifteraj dhe Ramnishtë, në këtë komunë, pasi Bashkësia Islame e Vitisë, në kuadër të BIK-ut, thotë se dy xhamitë, njëra në fshatin Skifteraj dhe tjetra në Ramnishtë, janë jashtë kontrollit dhe menaxhimit të BIK-ut dhe se frekuentohen nga njerëz të dyshimtë.”- thuhet ndër të tjera në njoftimin e redaksisë.

Për rastin është njoftuar edhe policia.

“AGK-ja, e fton Policinë e Kosovës të kujdeset për sigurinë e gazetarëve dhe stafit tjetër të televizionit dhe të punojë intensivisht për identifikimin dhe arrestimin e personit përgjegjës për kërcënimin.”- thuhet në njoftim.