Gazeta franceze Le Monde: Loja e rrezikshme e dyfishtë e Serbisë

E publikuar: 29/12/2023 12:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Larg fushëbetejave të Ukrainës, një tjetër front në luftën e Rusisë po shpaloset në Ballkan, ku Moska po përpiqet të shfrytëzojë tensionet nacionaliste kundër aspiratës së rajonit për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian (BE).

Zëdhënësja e diplomacisë ruse, Maria Zakharova, sapo ka krahasuar demonstratat në Serbi, të cilat denoncojnë mashtrimin e pretenduar elektoral gjatë votimit të 17 dhjetorit, me ato në sheshin Maidan, në Kiev, në vitin 2014, që rezultuan me ardhjen në pushtet në Ukrainë të liderëve properëndimorë.

Që nga shpallja e rezultateve të këtyre zgjedhjeve të parakohshme legjislative, qindra demonstrues kanë sfiduar çdo ditë policinë për të protestuar kundër parregullsive të vërejtura. Ndërsa rezultatet zyrtare i japin fitoren, me 46,72% të votave, Partisë Progresive Serbe, formacionit nacionalist të presidentit Aleksandër Vuçiq, ata ia atribuan vetëm 23,58% koalicionit proevropian Serbisë kundër dhunës, shtatë nga liderët e të cilit janë në grevë urie.

Vëzhguesit nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Evropës denoncuan parregullsi serioze, duke përfshirë “blerjen e votave” dhe “mbushjen e votave”. Por, presidenti serb siguron se këto zgjedhje “ishin më të ndershmet (…) në historinë e re të Serbisë” dhe akuzon “shtetet e huaja të fuqishme” se synojnë “destabilizimin e vendit” .

Operacioni komando në Kosovë

Kjo klimë e dëmshme pasqyron strategjinë e tensionit të mbajtur nga zoti Vuçiq, duke konfirmuar dyshimet në rritje për orientimin evropian të Serbisë. Në pushtet për gati dhjetë vjet, presidenti shfaq admirimin e tij për ish-diktatorin, Slobodan Millosheviç, i cili vdiq para përfundimit të gjyqit të tij për krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.

Aleksandar Vuçiq nuk e ka braktisur ambicien për të rimarrë kontrollin e Kosovës, pavarësinë e së cilës, të shpallur në vitin 2008, ai nuk e pranoi kurrë, siç duket se e tregon operacioni komando i ndërprerë në shtator në këtë vend. Së fundi, presidenti serb, edhe pse kandidat për anëtarësim në BE, nga i cili merr fonde, refuzon të rreshtohet me sanksionet evropiane kundër Rusisë dhe ka ndaluar zbatimin e reformave të kërkuara nga Bashkimi.

Evropianët kanë besuar prej kohësh se lidhjet tregtare të Serbisë me BE-në, si dhe zhvillimi ekonomik i vendit, përfundimisht do ta mposhtin retorikën nacionaliste të Vuçiq-it. Ata tani kanë çdo arsye për të vëzhguar me kujdes lojën e saj të dyfishtë. Në veçanti Franca, shumë e lidhur me ambicien e lidhjes së Ballkanit, pra Serbisë, me BE. Dilema nuk është aspak e thjeshtë, sepse sa më shumë që perspektiva e hyrjes së Serbisë në BE duket se zvogëlohet, aq më shumë Rusia dhe Kina përfitojnë prej saj për të avancuar pengjet e tyre.

Por, shembulli i Hungarisë së Viktor Orbanit, i cili synon të avancojë si një kalë trojan për Rusinë në BE, duhet të inkurajojë vendet anëtare të kërkojnë respektim drastik dhe të pakthyeshëm për kriteret e shtetit të së drejtës, në mënyrë që të shmanget një ditë që Beogradi të përsërisë të njëjtat taktika. Evropianët e dinë, nga historia e tyre, se rreziqet e rrëshqitjes në Ballkan mund të kenë pasoja katastrofike, shumë përtej rajonit. Në kontekstin e tensionit të përkeqësuar nga agresioni rus në Ukrainë, kërkohet vigjilenca e tyre në lidhje me teprimet e presidentit serb.