Pas votimit në Këshillin e Europës për anëtarësimin e Kosovës, ku abstenoi, Greqia mund të ndryshojë qëndrimin dhe ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ky shtë lajmi kryesor në mediat e kontrolluara nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, shkruan gazeta boshnjake, Oslobođenje .
Këtë indirekt e bën të ditur Georgios Katrougalos, ish-shefi i diplomacisë greke, i cili thotë se qeveria në Athinë papritmas mori një qëndrim të prerë rreth Kosovës.
Sipas tij, Greqia, pa shpjegime, ka votuar ndryshe në Këshillin e Europës nga vendet e tjera që janë kundër pavarësisë së Kosovës.
Kartugalos thotë se ky vendim i autoriteteve greke është i keq dhe nuk kontribuon në atë që duhet të jetë politika shtetërore e atij vendi.
“Vendi ynë duhet të promovojë gjithmonë paqen dhe stabilitetin në Ballkan, duke mbështetur hapa dhe zgjidhje të pranueshme reciprokisht. Vendimi i qeverisë për të votuar për pranimin e Kosovës në Këshillin e Europës për t’u dalluar nga vendet e tjera të Bashkimit Europian që nuk e njohin Kosovën, si Spanja, Rumania dhe veçanërisht Qiproja, që votuan kundër, nuk i kontribuon këtij qëllimi. Ky qëndrim nuk është diskutuar me forcat politike në vendin tonë, ndonëse ndryshon pa shpjegim qëndrimin e prerë të Greqisë për statusin e Kosovës. Në të njëjtën kohë, kjo dobëson rolin e ndërmjetësit që duhet të ketë Greqia në rajon”, thotë Kartugalos.