Gaxha tregon si u shpëtua 3-vjeçja në Turqi: Kur u hapën thasët e viktimave, pamë që kishte lot në fytyrë (VIDEO)

E publikuar: 14/02/2023 23:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shoqata e Kërkim-Shpëtimit nga Kosova ka arritur sot që të shpëtoj një 3-vjeçare nga rrënojat, nëntë ditë pas tërmetit në Turqi.

Në lidhje me ngjarjen, ka folur anëtari i kësaj shoqate, Ilir Gaxha, i cili tha se në një objekt janë tërhequr disa trupa të pajetë dhe janë vendosur buzë rrugës, ku të gjitha autoritetet turke i kanë konfirmuar viktimat.

Gaxha tha se njëri nga ushtarakët turk e ka hapur patentën e thasëve të trupave të vdekur dhe ka parë lot në sytë e 3-vjeçares.

“Pastaj, ne u angazhuam që t’ia japim ndihmën e parë ku na u bashkëngjit edhe ekipi polak dhe bashkë kemi punuar rreth gjysmë ore që ta mbajmë gjallë”.

“Autoritetet turke e dërguan autoambulancën e cila kur arriti, u shtangën dhe ne i udhëzuam se çka duhet bërë për të vazhduar ndihmën e parë. Arritëm që t’ia kthejmë pulsin dhe me defibilator dhe makinë gjatë gjithë kohës duke punuar e kthyem në jetë”, është shprehur Gaxha në Edicioni Special në Klan Kosova.

Tutje, Gaxha tha se trupin e 3-vjeçares e lanë të ngrohet në autoambulancë, ndërsa pas kësaj, spitali e konfirmoi se vogëlushja është e gjallë dhe ka gjasa të jetoj.

“i gjithë populli aty që ishte prezent u gëzuan, si ushtarët, si qytetarët e policia, filluan të na përqafonin dhe të dalin në fotografi me ne, duke u mburrur me Kosovën”.

“Na kërkuan flamujt që t’i marrin si kujtim, por edhe emblemat e shoqatës. Ishte një ndjenjë e përshkruar. Ne ishim të fortë gjatë dhënies së ndihmës së parë, por pastaj u emocionuam shumë”, është shprehur Gaxha, njofton Klankosova.tv.

Kujtojmë se numri i viktimave pas tërmetit në Turqi e Siri ka shkuar në mbi 40 mijë, ndërsa ky nuk është rasti i parë kur pjesëtarë të FSK-së e ata nga Shoqata e Kërkim-shpëtimit kanë arritur të gjejnë trupa të gjallë nga rrënojat.