Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se shuarja e Task-Forcës Anti-Korrupsion, ka qenë një befasi për miqtë ndërkombëtarë, pasi ka qenë e pakoordinuar dhe kështu është keqkuptuar.
Ai tha se kjo Task-Forcë tani e 10 vjet nuk ka dhënë ndonjë rezultat të theksuar dhe se si e tillë rrezikon të keqpërdoret nga individë të caktuar.
“Shkarkimi i Task-Forcës Anti-Korrupsion ka qenë surprizë për partnerët ndërkombëtarë. Ka qenë pak e shpejtë dhe ndoshta e pakoordinuar dhe kjo ka lënë pak hapësirë për keqinterpretim dhe keqkuptim nga partnerët ndërkombëtarë. Por kur bisedojmë me partnerët ndërkombëtarë dhe shohim cili është qëndrimi dhe vlerësimi I tyre për punën që e ka bërë kjo agjenci dhe mbi bazën mbi të cilën është ndërtuar kjo Task-Forcë, mendoj se mbërrijmë në një konkluzion të përbashkët, se mungon baza juridike e kësaj Task-Force. Kjo Task-Forcë për 10 vjet nuk kemi parë që ka pas ndonjë rezultat të theksuar dhe se po ashtu kjo është përdor në të shkuarën rrezikon të përdoret për interesa të ngushta të individëve”, tha ai në Debat Plus në TV Dukagjin.