Vendimi i panelit të gjyqtarëve të EULEX-it në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, i cili e dënoi Grupin e Drenicës me 65 vjet burgim, ende nuk cilësohet si çështje e mbyllur.
Avokatët thonë se do ta apelojnë këtë vendim sapo ta marrin në formë të shkruar. Nga ana tjetër, duke mos komentuar verdiktin, EULEX-i rithekson se procesi gjyqësor është zhvilluar duke u bazuar në mijëra faqe dëshmi.
Avokatët mbrojtës të ish-eprorëve të lartë të UÇK-së nuk e pranojnë vendimin e të gjykatës së EULEX-it në bazë të të cilit klientët e tyre janë dënuar me heqje lirie nën akuzat se kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë.
Avokati Tomë Gashi vazhdon të deklarojë se vendimi i gjykatës është në kundërshtim me provat e paraqitura gjatë procesit gjyqësor.
Sipas tij, edhe gjykata e EULEX-it ka qenë e njoftuar që dëshmitari A ishte në gjendje jo të mirë mendore, dhe pretendon se vendimi i gjykatës është politik.
Tomë Gashi ( ka pas ndërhyrje të thella politike ndërkombëtare)
Lidhur me këtë RTK ka kontaktuar Misionin e EULEX-it të cilët nëpërmjet postës elektronike deklarojnë se Gjykata shpalli vendimin bazuar në dhjetëra në mos qindra prova, fakte dhe deklarata.
“EULEX-i nuk mund të komentojë dhe vlerësoje këtë vendim të gjykatës. Nëse mbrojtja mendon se ndonjë provë nuk është njohur siç duhet nga Gjykata, ne mund vetëm të ritheksojmë se opsioni i apelit është i hapur dhe është në vazhdim e sipër. Si gjithnjë, ne nuk mundemi dhe nuk do të komentojmë për këtë çështje”.
Ndaj vendimit të Gjykatës së EULEX-it ku janë dënuar ish-luftëtarët e UÇK-së për krime lufte, avokati Gashi thotë se do të paraqesë ankesë 15 ditë pas marrjes së vendimit në formë të shkruar. Sipas tij, gjykata e Apelit, ligjërisht ka kohë 3 muaj ta shqyrtojë lëndën, për të cilën beson se do të ketë ndryshim të aktgjykimit ose ta kthejë lëndën në rigjykim.