Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur gjatë seancës së gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë. Paraqitja e tij u vlerësua si e një burrështetasi nga ana e analistit Astrit Gashi
Si paraqitje e një burrështetasi u vlerësua ajo e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nga ana e analistit Astrit Gashi.
I ftuar në “Debat Plus” te Ermal Panduri në RTV Dukagjini, Gashi ka thënë se përvoja politike e Thaçit ndikoi në artikulimin e tij, i cili nuk tingëlloi si i një të akuzuari.
“Paraqitja e Thaçit…ishte më shumë një paraqitje e një burrështetasi sesa e një të akuzuari aty, dhe këtë e them në kontekstin pozitiv. Thaçi si i ri dhe më vonë në karrierën e tij politike ka bërë përvojë të jashtëzakonshme dhe di të artikulohet si burrështetas. Kjo më bëri përshtypje më shumë…Sikur të mos ishte në atë bankën si i akuzuar atje, do ta quanim fjalim të mirë prej një burrështetasi, i cili na e rikthen pak historinë e Kosovës, pjesë të cilën e gjej pak edhe te Rexhep Selimi, te pjesa e fjalimit se si iu bashkëngjit luftës… besoj që kjo gjykatë në njëfarë forme përpos kontekstit politik të kritikave që kemi, m’u duk sikur po e dëgjoj edhe njëherë historinë e luftës së Kosovës”, ka deklaruar ai.
Krahas kësaj, Gashi ritheksoi edhe një herë qëndrimin e tij mbi Gjykatën Speciale.
“Gjykata Speciale mendoj se është një padrejtësi politike edhe historike që ia ka bërë Kosova vetes”, ka deklaruar ai.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur gjatë seancës së gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë.
Thaçi është deklaruar i pafajshëm teksa ka thënë se i vjen keq që për pafajësinë e tij nuk mund të dëshmojnë disa figura të larta si, Ibrahim Rugova, Madeleine Albright, Fehmi Agani, Richard Hoolbroke, Adem Demaçi e të tjerë.
Ndër të tjera, ai ka thënë se lufta u është imponuar dhe e kanë bërë këtë sikurse do ta bënte çdo popull liridashës.
Nga ana tjetër, avokati i Hashim Thaçit, Lluka Mishetiq, ka thënë se Prokuroria speciale, e ka rritur numrin e viktimave.