Gashi: Nuk do ta votoj Thaçin për president

E publikuar: 02/11/2015 22:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti nga radhët e LDK-së, Arben Gashi ka thënë edhe njëherë se nuk ka ndërruar qëndrim dhe se nuk do ta votojë Hashim Thaçin për president.

Ai kështu ka deklaruar në një intervistë në televizionin Rrokum, teksa foli edhe për fusnotën e MSA-së, marrëveshje kjo që u ratifikua sot në Kuvendin e Kosovës.

“Ende s’e kam ndryshuar vendimin tim, s’do të votoj për Thaçin si President”, ka thënë Gashi.

Ai ka komentuar parëndësinë e “fusnotës” që u lakua në mbledhjen e ratifikimit të MSA-së nga ana e opozitës, duke thënë se Kosova me arritjen e kësaj marrëveshjeje është në benefit të madh.

“Kosova vjen në këtë marrëveshje më ndryshe, sepse pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian s’e njohin Kosovën. Por kur benefiti është i madh për Kosovën, fusnota mbetet periferike. Elementi i parë i kësaj marrëveshjeje është marrëdhënia tregtare me Bashkimin Evropian. Kompanitë kosovare mund të bashkëpunojnë me ato të Evropës. Kjo është mundësi e mirë, sepse Kosova mund të ketë qasje në ekonominë evropiane”, ka thënë Gashi.

Ai foli edhe për gjuhën që po përdoret në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se përdorimi i emrave të kafshëve drejtuar zyrtarëve politikë, është i papranueshëm. Derisa, ka shtuar Gashi, kjo po ndodh për shkak të jo komoditetit që është krijuar te deputetët, të cilët nuk po ndihen më komod aty.