Gashi: Ky projektligj mund të jetë gjithçka tjetër, por vetëm Ligj për Rimëkëmbje nuk është

E publikuar: 14/08/2020 19:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partia Demokratike e Kosovës thotë se projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike i propozuar në Kuvendin e Kosovës, nuk adreson problemet e vendit me ekonomi dhe pandemi. Sipas kësaj partie, tërheqja e 10 për qind të kursimeve në Trustin Pensional, do të dëmtojë qytetarët, meqë shteti nuk do të rimbursojë asnjëherë këto mjete.

Kujtim Gashi nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës gjatë seancës plenare tha se po kërkojnë që ky projektligj të tërhiqet nga shqyrtimi sot, pasi që i njëjti nuk trajton pandeminë.

Veç tjerash, Gashi tha se është për keqardhje që sot derisa po diskutohet Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike, nuk janë prezent ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe ai i Tregtisë dhe Industrisë.

“Ky projektligj mund të jetë gjithçka tjetër, por vetëm Ligj për Rimëkëmbje nuk është sepse i njëjti nuk adreson problemet e vendit me ekonomi dhe pandemi. Madje ky ligj nuk ndihmon as shëndetësinë, sektor ky që po ballafaqohet me probleme të shumta sa i përket përballjes së personelit shëndetësorë me virusin COVID-19”, tha ai.

Ai tha se tërheqja e 10 për qind të kursimeve në Trustin Pensional, do të dëmtojë qytetarët, meqë shteti nuk do të rimbursojë asnjëherë këto mjete.

“Përkundër që tërheqja e 10 për qind e mjeteve mund të duket si ndihmë afat shkurte për qytetarët, në aspektin afatgjatë dëmton qytetarët meqë shteti nuk do t’ua rimbursojë asnjëherë këto mjete. Pra, kjo i bie që ata që do të tërheqin mjetet do të zvogëlojnë edhe më shumë fondin e tyre pensional. Pra, do të kenë për 10 për qind më pak mjete ndoshta edhe për pleqërinë e tyre”, shtoi ai.

Ndër tjera, Gashi tha se në kohën kur ka qeverisur LVV me LDK-në, partia ku ai bën pjesë kishte prezantuar një pako për rimëkëmbje ekonomike në vlerë prej 320 milionë euro. Sipas tij, ky projektligj u injorua para pesë muajve, e që siç tha ai, me këtë projektligj PDK kishte paraparë masa konkrete se si të menaxhohet pandemia, por edhe si të përkrahet sektori privat. /Sh.Pajaziti