Gashi: Dimali është përfaqësuesi autentik i Vetëvendosjes

E publikuar: 28/08/2025 11:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Arben Gashi tha se kryeparlamentari Dimal Basha është përfaqësues autentik i Lëvizjes Vetëvendosje. Kështu komentoi ai kryetarin i cili u zgjodh të martën, teksa u pyet se a do duhej të jepte dorëheqje pas raportimeve për një hulumtim ku shkruhej për UÇK-në.

Para fillimit të seancës konstituive, ku pritet të vijohet me votimin me short për zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb, Gashi tha se “ky është një narracion që po i bëhet Dimalit nga partia e vet”.

“Kjo është një narracion që po i bëhet Dimalit nga partia e vet e cila nuk po dëshiron që të shpërfaqet autenciteti i Vetëvendosjes. Mendoj se Dimali është përfaqësues autentik i Vetëvendosjes dhe e tillë është Vetëvendosja mendoj që njerëzit duhet ta shohin, ne bashkërisht si shoqëri ta kuptojmë se ky është mënyra e të menduarit politik në Kosovë dhe cila është perspektiva jonë”, deklaroi ai.

Gashi tha se nuk voton as për Rashiqin e as për Simiqin, meqë siç u shpreh ai, nuk kanë kurrfarë dallimi.

“Duhet ta pyesni Hykmeten sepse është kryetare e grupit dhe merr vendime… Po mendon që ti që unë jam ashtu që votojë për një përfaqësues serb, as për Rashiqin as për atë tjetrin, kurrfarë dallimi nuk kanë ata mes vete”, shtoi ai.

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi tha se vendi është i rrezikuar.

“Mendoj që vendi është i rrezikuar, mendoj që situata është jashtëzakonisht keq po përsëritet skenari që ka ndodhur në Afganistan ku shteti ka rënë për shkak të paaftësisë disa herë nga disa muaj që të konstituojnë institucionet e vendit të vet. Vendi është në rrezik, sjellja e pa përgjegjshme, duhet lidership dhe mentalitet i cili merr përgjegjësinë për vendin”, përfundoi Gashi.

Të martën ka nisur procesi i hedhjes së shortit për të zgjedhur nënkryetarin nga komuniteti serb. Votimi është ndërprerë pasi nuk morri votat as deputeti Nenaq Rashiq, i cili është kryetar i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.