Garë e frikshme, ‘koktej vdekjeprurës’

E publikuar: 14/04/2015 11:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përpjekjet dhe vëmendja e përkushtuar për të arritur një marrëveshje me Iranin mbi ambiciet e tij bërthamore, ka lënë nën hije rreziqet në rritje të përhapjes bërthamore në vende të tjera në botë. Konkurrenca e ashpër bërthamore në Azinë Jugore është parë nga shumë analistë si një recetë për paqëndrueshmëri në një rajon të ngarkuar me shumë probleme.
Në Azinë Jugore, një rajon i dhunshëm dhe i paqëndrueshëm, është përshkallëzuar rivaliteti ushtarak dhe bërthamor mes shteteve, por edhe nga frika se do të vazhdojë gara bërthamore në Lindjen e Mesme. Kjo pjesë e botës, Azia Jugore, sipas analistëve, është bërë shpejt një pothuajse supremaci bërthamore me armët që posedon Pakistani, Kina dhe India.

Rivaliteti midis këtyre tre shteteve, i njohur edhe si “kokteji vdekjeprurës”, është me rrezik të madh, pro sipas shumë analistëve, situata bëhet edhe më komplekse nga dyshimet reciproke dhe hasmërive historike që ndërlikojnë në këtë rajon.

Pakistani

Pakistani, një vend i rrënuar nga pasiguria ekonomike dhe politike, me raporte jo të mira me Indinë, besohet të ketë një nga rritjet më të shpejta në botë në fushën bërthamore. Sipas një raport i kohëve të fundit, tregoi se Pakistani kishte trefishuar numrin e mbushjeve bërthamore krahasuar me një dekadë më parë.

 

“Fuqia bërthamore është një strategji politike dhe ushtarake në sytë e klasës politike pakistaneze, është një mënyrë për të luftuar pushtetin politik dhe ushtarak të Indisë. Në anën tjetër, Pakistani nuk ka doktrinë zyrtare të kërcënimit me armë bërthamore dhe deklaratat zyrtare flasin për ‘përmbajtje’ dhe ‘parandalim’”, shkruan BBC, raporton lajmi.net.

Qeveria pakistaneze kohët e fundit miratoi blerjen e tetë nëndetëseve nga Kina. Nuk është e qartë nga raportet nëse Islamabadi ka kapacitet e nevojshme për posedimin e raketave bërthamore. Marrëveshja me Kinën u tha se kishte vlerën e disa miliardë dollarëve amerikanë dhe se është një nga marrëveshjet më të mëdha të blerjes së armëve.

Me këtë marrëveshje, Pakistani përpiqet të intensifikojnë betejën në rritje për supremacinë ushtarake në Oqeanin Indian, një shtrirje mbi hapësirën oqeanike që ka qenë prej kohësh një burim i rivalitetit dhe tensioneve në rajon.

Kina dhe Pakistani kanë pasur raporte të afërta për dekada të tëra, dhe kjo e ka pasur nxitjen e bazuar kryesisht në dyshimin e tyre të përbashkët ndaj Indisë. Prandaj Kina ka qenë prej kohësh një nga furnizuesit kryesorë të armëve për Pakistanin, vlerëson Instituti Ndërkombëtar i Paqes me Seli në Stokholm.

Kohët e fundit është raportuar se Pakistani ka testuar një raketë, e aftë për të bartë kokën bërthamore, me rreze të mesme, e quajtur Shaheen-III. Kjo raketë mund të gjuhet në 1730 kilometra largësi, duke e futur kështu Indinë brenda rrezes së veprimit.

“Prandaj, askush nuk duhet të nënvlerësojnë rivalitetin mes dy vendeve, me historinë e tyre të trazuar, e cila përfshin luftërat në vitin 1947, 1965 dhe 1971”, shkruan BBC, duke cituar raportin e Institutit të Paqes, i cili rekomandon fuqitë bërthamore të mos bëjnë garë me arme që mund të shkatërrojnë njerëzimin.

India

Edhe India ka rreth 110 mbushje bërthamore, por sipas analistëve ajo vazhdon të zgjerojë programin e saj bërthamor me ritëm më të ngadaltë. Nju Delhi ka një strategji të përzier, duke kombinuar posedimin e raketave balistike me rreze të shkurtër dhe të gjatë veprimi. Vendi ka testuar pajisjen e saj të parë bërthamor në 1974.

India ka një doktrinë “Jo për Përdorim të Parë”, të konfirmuar kohët e fundit edhe nga kryeministri Narendra Modi. Siguria, sipas tij është prioriteti kryesor i strategjisë që ka qeveria indiane me posedimin e armëve bërthamore.

 

Dhe derisa për Pakistanin dhe Kinën është shqetësim India, kjo e fundit i ka drojë forcës bërthamore të Pekinit zyrtar.

Kina

Kina me armët e saj bërthamore dhe numrin e forcave ushtarake shihet si superfuqi rajonale. Sipas raportit të Insitutit Ndërkombëtar të Paqes, Kina ka rreth 250 mbushje bërthamore për raketat balistike me rreze veprimi të të tria llojeve, të shkurtër, të mesme dhe me rreze të gjatë veprimi.

Ambiciet bërthamore të Kinës morën hov në vitet e ’50-ta të shekullit të kaluar, në prag të Luftës së Koresë. Testi i saj i parë bërthamor besohet të jetë kryer në vitin 1964. Dhe sipas pikëpamjeve të komentuesve të informuar, aftësia bërthamor kineze do të vazhdojë të rritet në vitet e ardhshme.

 

Edhe qeveria kineze ka moton e armëve berthamore “Jo për Përdorim të Parë”, por për “Mbrojtje”. Vendi është nënshkruese e “Traktatit të Mospërhapjes” (NPT) dhe gjithashtu është nënshkruese e Traktatit Gjithëpërfshirës Bërthamor ‘Test –Ban’ (CTBT), por ende nuk e ka ratifikuar atë.

Jostabiliteti

Gara me armë bërthamore mund të jetë potencialisht vdekjeprurëse për shkak edhe të “koktejit” të mosmarrëveshjeve territoriale dhe terrorizmit ndërkufitar mes këtyre tre vendeve. Dhe kapaciteti i fuqive të tjera botërore për të ndikuar në uljen e tensionit është penguar nga fakti se as India dhe as Pakistani nuk e kanë nënshkruar Traktatin e Mospërhapjes NPT.

Jostabiliteti ekonomik dhe politik i Pakistanit gjithashtu shtron pyetje të mëdha dhe shumë shqetësuese. Vendi po sfidohet vazhdimisht nga grupe militante dhe ekziston frika e madhe se këto grupe do të mund të marrin në duart e tyre materiale bërthamore, pavarësisht insistimit të fortë nga shteti pakistanez se objektet e tij bërthamore janë të sigurta.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia ende posedojnë më shumë se 90% të armëve bërthamore të botës, por tri shtetet e lartpërmendura të Azisë Jugore mbeten një shqetësim në rritje, dhe ndoshta, përbuzë negociatave me Iranin, për të mirën e njerëzimit, do të ishte me vend që vëmendja dhe përkushtimi për paqe të shtohej edhe në këtë rajon. /lajmi.net/