Zyra e Kryeministrit Albin Kurti s’ka treguar të vërtetën kur ka lëshuar një komunikatë se një këshilltar i Shefit të Qeverisë bartë titullin e doktorit të shkencës. Këshilltari i Jashtëm i Kryeministrit Kurti, Durim Berisha, ende s’i ka përfunduar studimet doktorale në Gjermani dhe ende s’e ka titullin e doktorit të shkencës në fushën e Juridikut.
Express
Durim Berisha, ish-Nënkryetar i një organizate studentore, “Paqja studentore”, është bërë Këshilltar i Jashtëm i Kryeministrit Albin Kurti.
Mirëpo, Zyra e Shefit të Qeverisë s’e ka treguar të vërtetën kur e ka prezantuar Berishën si Doktor Shkence.
Ish-punëtori i Gjykatës Kushtetuese, ish-këshilltari i Rektorit të UP’së, Durim Berisha ende s’e ka fituar gradën më të lartë shkencore.
Bazuar në CV’në e tij, Berisha ende është duke vazhduar studimet doktorale të nisura më 2018 në Ligjin Kushtetues, Kushtetues Krahasues, Kushtetues të Drejtësisë dhe Teorisë pranë Heinrich Heine University në Düsseldorf të Gjermanisë.
Mirëpo, zyra e Kryeministrit ka njoftuar se Durim Berisha bartë “titullin Doktor Shkence”.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, emëroi sot z. Durim Berisha si Këshilltar të Jashtëm Politik. Durimi bartë titullin Doktor Shkence në fushën e Juridikut, me profil në Ligjin Kushtetues, Kushtetues Krahasues, Kushtetues të Drejtësisë dhe Teorisë pranë Heinrich Heine University në Düsseldorf të Gjermanisë”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
S’e nuk është doktor shkence e ka konfirmuar edhe miku i tij, Mehdi Mulaj, në një reagim në FB.
“Ky djale eshte duke e pergatit temen e doktorates ne Gjermani, aty ku ka diplomu edhe per Master. E di sigurt qe ky djale nuk eshte me Vetevendosjen, sikurse qe nuk eshte as me LDK-ne”, ka shkruar Mulaj.
Këshilltari i Jashtëm i Kurtit, Durim Berisha s’ka reaguar për të përmirësuar njoftimin e Kryeministrisë.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje nuk e ka publikuar njoftimin në Fb por vetëm Qeveria ka lëshuar komunikatë.
Këshilltarët e jashtëm në Qeveri nuk paguhen nga buxheti i Kosovës dhe kryejnë punë vullnetare për institucionin.