Shefi i EULEX’it Gabriele Meucci duke reaguar ndaj një raporti të Freedom House të publikuar gajtë muajit qershor, ku Kosova cilësohet si një vend me “regjim autoritar gjysmë të konsoliduar”, ka shkruar se ky mision nuk mund ta ndryshojë vendin. Ai ka theksuar se institucionet e Kosovës duhet t’i dërgojnë kriminelët në burg, pa ndihmën e EULEX’it. Sipas tij, ky mision nuk mund ta ndryshojë gjendjen në Kosovë.
Më poshtë mund ta lexoni të plotë shkrimin e shefit të EULEX’it.
Kosova meriton më shumë
Gabriele Meucci, Shef i Misionit EULEX
U zhgënjeva kur i pashë rezultatet e raportit të Freedom House për vitin 2015, të publikuara në qershor, lidhur me vendet në tranzicion. Sipas këtij studimi Kosova është klasifikuar si “regjim autoritar gjysmë i konsoliduar” dhe me këtë është klasifikuar si regjimi më së paku demokratik në Ballkan. Në fillim kjo më është dukur shumë tronditëse, madje edhe e padrejtë, por pastaj e lexova përkufizimin e raportit: “regjim autoritar gjysmë i konsoliduar” është regjimi i cili përpiqet “ta maskojë autoritarizmin ose mbështetet në strukturat joformale të pushtetit duke pasur respektim të kufizuar për institucionet dhe praktikat e demokracisë.”
Ky përkufizim më hidhëroi. Këshilltarët e EULEX-it janë në Kosovë prej vitit 2008 dhe suksesi ynë ka qenë i përzier. Suksesi më i madh është arritur në sektorët në të cilët kolegët dhe homologët e Kosovës janë motivuar të ecin përpara, ta pranojnë ndryshimin dhe t’ju rezistojnë strukturave të vjetra joformale të pushtetit që e komprometojnë sundimin e ligjit. Kjo nuk do të thotë që përmirësimi ka qenë i njëtrajtshëm – gjithmonë ekzistojnë pengesa dhe raste kur gjërat nuk bëhen mirë. Madje edhe institucionet më të mira të Kosovës e përjetojnë këtë ndonjëherë dhe institucionet e fuqishme i shohin pengesat si mundësi për identifikimin e të metave dhe bëjnë korrigjime për ta përmirësuar punën e tyre në të ardhmen.
Por në rastin e Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK) nuk është duke ndodhur kështu. Më 2012, SHKK ishte në rrugë të mirë për t’u bërë njëri prej tregimeve të suksesshme të Kosovës dhe Njësia për Përcjelljen e të Burgosurve ishte pjesa më e fuqishme e SHKK-së. Ishte arritur përparim aq i mirë sa që EULEX-i hoqi dorë nga kapaciteti i tij ekzekutiv (sipas të cilit ne ofronim oficerë korrektues që kishin kompetenca sipas ligjit të Kosovës për të shërbyer përkrah homologëve të tyre vendas) dhe kaluam në atë që e quajmë MMK – Mentorim, Monitorim dhe Këshillim. Për fat të keq, SHKK nuk vazhdoi në trajektoren e tij pozitive. Gjatë tetëmbëdhjetë muajve të kaluar kanë ndodhur një mori incidentesh me SHKK-në, në të cilin rast procedurat dhe institucionet e demokracisë janë shpërfillur për t’ju shërbyer strukturave joformale të pushtetit dhe interesave politike. Pothuajse kudo tjetër kjo do të ishte skandal, por në Kosovë duket që pjesa më e madhe e njerëzve ngrinin supet dhe gjërat vazhdonin ashtu si gjithmonë.
EULEX-i ka punuar me zell për të siguruar që Kosova t’i ketë mjetet dhe njohurinë për të ecur përtej strukturave joformale të pushtetit dhe për t’i pranuar standardet e BE-së për sundimin e ligjit. Pra, çka ndodhi, kur personat e dënuar në gjykimin e rastit Drenica vendosen në një vend, ku duket se hyjnë dhe dalin sipas dëshirës, dhe mund ta marrin udhëzimin e mjekut për të shkuar në QKUK aq lehtë, si unë dhe ju mund ta blejmë një espreso?
Besoj – e di – që Kosova mund të arrijë më shumë se kaq. Kosova ka në duart e veta çelësin e perspektivës së saj të ardhme në BE. Nganjëherë, ashtu si javën e kaluar, Kosova e shfrytëzon atë çelës, duke e dëshmuar përkushtimin e saj ndaj sundimit të ligjit, ballafaqimi me të kaluarën e saj dhe sigurimin e drejtësisë për viktimat e krimeve, të cilat ndodhën gjatë luftës dhe menjëherë pas saj. Prapë se prapë, në disa fusha të sundimit të ligjit – jo vetëm në SHKK – Kosova preferon të mbesë në të kaluarën, në burgun e strukturave joformale të pushtetit, duke e pranuar korrupsionin dhe nepotizmin dhe duke pritur që ndryshimi të vijë nga jashtë.
Ne në EULEX nuk jemi tjetër veç mysafirë në Kosovë dhe, si mysafirë, e dimë që nuk mund ta imponojmë ndryshimin – është populli i Kosovës ai që duhet të vendosë se është koha që Kosova t’i dërgojë kriminelët e saj në burg dhe të vërtetojë që institucionet e saj për sundimin e ligjit janë të gatshme të merren me rastet e profilit të lartë dhe me të burgosurit pa ndihmën e EULEX-it. Vetëm qytetarët e Kosovës janë ata që vendosin se kur do të thonë mjaft – që janë ngopur me strukturat joformale të pushtetit, me marrëveshjet e dyshimta afariste, që vjelin fondet dhe pushtetin nga institucionet dhe nga demokracia, si dhe që janë ngopur së qeni një vend që renditet si vendi më së paku demokratik në Ballkan.