Gabojnë në të dhënat për COVID-19, përmirësojnë ato pas IKSHPK-së

E publikuar: 13/04/2020 12:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Virusi COVID-19, për një muaj në Kosovë ka infektuar 362 persona, 59 nga ta janë shëruar kurse 7 kanë ndërruar jetë. Për gjatë këtij muaji, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë, publikuan vazhdimisht të dhënat lidhur me përhapjen e këtij virusi në vendin tonë.

Mirëpo, ka disa raste kur disa nga kryetarët e komunave nxituan dhe publikuan të dhëna gabim lidhur me numrin e personave të infektuar në komunat e tyre. Këto të dhëna mandej janë përmirësuar nga vet kryetarët e komunave apo edhe në vet faqet zyrtare të komunave në rrjete sociale si Facebook.

Një gabim të tillë duket se e bëri kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili përmes një postimi në Facebook shkroi se ka ndërruar jetë një gjilanas nga coronavirusi, duke publikuar kështu inicialet gabim. Postimi i Hazirit, u fshi brenda pak minutash, ndërsa IKSHPK njoftoi më vonë se kush ishte viktima dhe Haziri vendosi postim të ri.

I pari i Gjilanit mohoi të ketë gabuar,  ai për Telegrafin tha se janë dy mbiemra për atë familje.

“Nuk kam gabuar se mbiemri Shaqiri/Ismajli përdoret për atë familje dhe janë vëllezër. Njëri është Shaqiri dhe tjetri Ismajli”, deklaroi Haziri.

Kurse, kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka të dielën gaboi numrin e personave të infektuar. Fillimisht ai shkroi se sipas raportit që kanë marrë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, numri i personave të infektuar me COVID-19 është 14. Një orë më vonë, i pari Prizrenit ndryshoi statusin e tij në Facebook, duke shkruar se numri i të prekurve nga virusi është 16, të njëjtën gjë e konfirmoi edhe IKSHPK.

Për gjatë kësaj kohë, IKSHPK informon komunat lidhur me numrin e personave të prekur me COVID-19, e më pas publikon komunikatën.

Megjithatë, gjatë kësaj kohe pati edhe ankesa drejtuar IKSHPK-së. Komuna e Fushë-Kosovës, para disa javësh kritikoi IKSHPK-në, se nuk po publikon të dhëna të sakta, kjo ndodhi pas lajmit që në Fushë-Kosovë janë konfirmuar 3 raste pozitiv me COVID-19. /Telegrafi/