Gabimet e doganierit që e bllokuan për dy vite kompaninë “Geci Autokton”

E publikuar: 11/10/2017 17:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Janë bërë gati dy vjet që kur në pikën doganore në Merdare kanë mbetur të bllokuara 22 ton qirinj, që eksportoheshin nga Zvicra për në Kosovë. Bllokimin e tyre e bëri Dogana e Kosovës, e cila me pas doli se kishte bërë gabime në këtë proces. Palë e dëmtuar në këtë rast mbeti kompania “Geci Autokton”, që tash e 15 vite furnizon Kosovën me qirinj. Për këtë produkt, kjo kompani është vlerësuar me vlerë reale rreth 7 mijë euro, derisa herën e fundit këtë vlerë dogana e rriti në 57 mijë euro. Gjykata në këtë proces të drejt i ka dhënë kompanisë, por Dogana ende nuk ka bërë ankesë lidhur me këtë çështje dhe vazhdon ta mbajë të bllokuar mallin. Të dy palët kanë dhënë për Express versionet e tyre mbi krejt këtë rast.
Kompania “Geci Autokton”, e cila importon qirinj nga Zvicra në Kosovë, tash e dy vite është në “luftë” me Doganën e Kosovës, ku akuzon doganierin Mehdi Krasniqi se ka bërë trajtim selektiv dhe tendencioz gjatë kalimit të lëndës së parë të prodhimit në pikën kufitare në Merdarë.

Fillimin e këtij problemi, e nisi doganieri Mehdi Krasniqi, i cili ka bllokuar në vitin 2015, 22 ton qirinj të hequr nga shitja në tregun zviceran, e cila ishte e destinuar për riciklim.

Dogana e Kosovës kishte vendosur një gjobë ndaj kompanisë, duke bërë në mënyrë të gabuar ndryshimin e emrit të produktit nga emri real i prezantuar në faturën zyrtare dhe në DUD’in doganor.

E njëjta, kishte tetëfishuar vlerën reale të produktit, nga 7 mijë e 402 euro në më shumë se 56 mijë euro. Në vlerësimin e parë të mallit, Dogana e Kosovës kishte trefishuar çmimin e blerjes, nga 7 mijë e 402 euro në më shumë se 18 mijë euro. Në DUD’in përfundimtar, të njëjtit, kanë tetëfishuar vlerën reale të mallit, duke e bërë në më shumë se 56 mijë euro.

Në gjykimin e fundit të këtij rasti, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim se Dogana e Kosovës ka vepruar kundërligjshëm me ligjin kundrejt kompanisë “Geci Autokton”, kështu duke aprovuar kërkesën e kompanisë për ta rishqyrtuar aktvendimin.

Gjykata obligon Doganën e Kosovës, që në riprocedurë të veprojë sipas vërejtjeve të dhëna në arsyetimin e aktvendimit.

Menaxheri i “Geci Autokton”, Ilir Geci ka treguar për Express se pasi kishin shkuar ta tërheqin mallin dhe të bëjnë pagesën doganore, del që nga DK ishin bërë tre gabime. Për bërjen e këtyre tri gabimeve, e ka pranuar edhe vetë Dogana e Kosovës në dokumentin e nënshkruar nga vetë Mehdi Krasniqi, por këtë e konstaton edhe vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ilir Geci pati deklaruar se kishte kërkuar takim zyrtarisht me drejtorin e DK-së, i cili i kishte pritur se bashku me stafin doganor.

“Në këtë takim ne i kemi paraqitur te gjitha dokumentet e mallit. Arsyetimi i doganierit Mehdi Krasniqi ka qenë që qirinjtë nuk i duhen Kosovës sepse tash kemi rrymë mjaftueshëm”, tregon Geci.

Pala paditëse theksoi se deklarata e doganierit, Mehdi Krasniqit dëshmoi se vendimi ishte shumë tendencioz dhe i qëllimshëm.

Doganieri Mehdi Krasniqi

Gazeta Express ka tentuar të bisedojë me Mehdi Krasniqin për këtë çështje, pasi Dogana ende nuk ka vepruar ashtu siç ka urdhëruar Gjykata Themelore në Prishtinë, i njëjti nuk dashur të komentojë asgjë, madje as të dëgjojë pyetjen e Expressit, duke thënë se ai nuk flet për media dhe se për çdo gjë të dërgohen pyetje në Zyrën për Informim.

Dogana: Ne i respektojmë veç vendimet përfundimtare

Express ka dërguar pyetje edhe në Doganën e Kosovës, të cilët kanë thënë se i respektojnë vendimet e Gjykatës të cilat janë të formës përfundimtare.

“Sa i përket kësaj çështje ju informoj se dogana ka marr një vendim lidhur me ketë rast dhe kjo kompani sipas vendimit të doganës ka kryer kundërvajtje. Sa i përket oficerit tonë që ju e parafrazoni ai vendim konsiderohet i doganës, jo vendim personal, prandaj pasi ne veprojmë sipas ligjit dhe të gjitha vendimet nuk konsiderohen personale, por të doganës. Derisa dogana respekton të gjitha vendimet e gjykatës të cilat janë të formës përfundimtare”, thuhet në përgjigjet e Doganës.

Kurse avokati, Anton Nokaj, përfaqësuesi i paditëses “Geci Autokton”, në seancën e parafundit në Departamentin Administrativ, deklaroi se kjo kompani ka importuar qirinj për ndriçim dhe riciklim edhe herëve të tjera, mirëpo asnjëherë nuk kanë pasur probleme deri në rastin e fundit.

Paditësi deklaron se në pikën doganore në Merdarë, kanë deklaruar faturën e rregullt ku thuhet se qirinjtë, të cilësuar të rendit të dytë të cilët nuk janë paraparë për tregun zviceran dhe shiten për riciklim, pas kësaj fature shpedicioni ka plotësuar DUD’in doganorë ku këtë faturë e vendos në kodin përkatës doganor në shifrën 340600.00 dhe ka bërë përshkrimin e emërimit të mallit; qirinjtë e hollë dhe të ngjashëm të tyre, qirinjtë të thjeshtë me kilogramë të saktë sa janë paraqitur në faturë.

“Pas kësaj Dogana në Merdarë na ka shqiptuar dënim për deklarim të pa saktë doganor për shkak të emërtimi që sipas tyre, këta janë deklaruar si qirinjtë të thjeshtë, pasi që në faturën zyrtare të firmës Ballthazar nuk ka asnjë emërim qirinjtë të thjeshtë”, citon paditësin, aktvendimi i Gjykatës.

Paditësi ka kërkuar për të bërë pagesën e dënimit prej 5300 euro dhe pagesën e taksës doganore për tërheqjen e mallin. Mirëpo, pas kësaj, Dogana e Kosovës nuk e ka lejuar ta tërheq mallin me arsyetimin se janë bërë tri gabime nga ana e tyre – lidhur me këtë deklarim ia dorëzon gjykatës konkluzionin. Konkluzioni i Doganës së Kosovës, tregon qartë se kanë pranuar tri gabimet e veta, por që prej këtyre gabimeve dëmtohen edhe më shumë se nga vendimi i parë i marrë prej tyre, në dëm të “Geci Autokton”.

Gjykata: Dogana ka vepruar kundërligjshëm

Gjykata ka cekur se “konkluzioni nuk është nxjerrë në përputhje me dispozitat ligjore, kështu duke ardhur në përfundim se Drejtoria Rajonale e Podujevës – Njësiti PAKD’së, në rastin konkret me nxjerrjen e këtij konkluzioni ka bërë shkelje të së drejtës procedurale dhe materiale pasi që është ndryshuar pesha e mallit si dhe vlera e mallit nga 7 mijë e 402 në 18,083.00 dhe pastaj edhe në 57.000.20 euro”.

Kjo gjykatë, ka vendosur se e paditura (Dogana e Kosovës) ka vepruar në kundërshtim me ligjin, kur as në përgjigje në padi dhe as në seancat e shqyrtimit kryesor, nuk ka ofruar të gjitha provat me të cilat ka mbështet vendimin kontestues dhe si rrjedhojë, paditësit nuk i është dhënë mundësia të deklarohet rreth tyre. “Gjykata vlerëson se e paditura në arsyetimin e vendimit kontestues nuk e ka arsyetuar fare se përse paditësit nuk i është pranuar deklarimi i mallit sipas faturës dhe në bazë të metodës së parë të vlerësimit, si dhe nuk konstaton asnjë dokumentacion përcjellës, dhe nuk është dhënë asnjë provë për t’u dëshmuar se paditësi i ka paguar eksportuesit mbi çmimin e faturës së mallit, për të dëshmuar konstatimin e dhënë se vlera e mallrave të deklaruar për zhdoganim nuk është vlera reale e mallit”, thuhet në aktvendimin e gjykatës.

 

Megjithatë, doganieri Mehdi Krasniqi, që ishte kryesori që nisi këtë “luftë” në mes të kompanisë dhe Doganës, në konkluzionin e Doganës të cilin e ka nënshkruar vetë, e ka pranuar se kanë bërë 3 gabime.

“…është shënuar gabimisht pesha e përgjithshme 21459 kilogramë në vend se të jetë 21987 dhe vlera e përgjithshme e mallit në vend se të jetë 57,000.20 euro është shënuar 18.083.00 euro. Pra, pala ka deklaruar mallin me peshë 21987 kg qirinj të thjeshtë në vlerë 7.685.45 chf, konvertuar në 7.402.31 euro.

Oficerët e shiqimit kanë konstatuar se janë 21787 kg qirinj dekorativ në vlerë 56,646.20 euro dhe 200 kg qirinj të thjeshtë në vlerë 354.00 euro. Në bazë të këtij konstatimi në procesverbalin 2015/…., vlera e përgjithshme e mallit është, 57.000.20 euro dhe taksa për pagesë është 15.732.05 euro”, thuhet në arsyetimin e konkluzionit që vetë doganieri Mehni Krasniqi e kishte nënshkruar më 21 shtator të vitit 2015.

Gjykata ka aprovuar padinë e “Geci Autokton”, ka anuluar aktvendimin e kontestuar. Themelorja gjithashtu obligon të paditurën, që në riprocedurë të veprojë sipas vërejtjeve të dhëna në arsyetimin e aktvendimit.