Dy persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës në Fushë Kosovë, pasi dyshohen për disa raste të vjedhjeve të veturave.
Policia bën të ditur se të arrestuarit janë një 56-vjeçar me inicialet C.P dhe një 66-vjeçar me inicialet SH.N.
“Drejtoria Rajonale e Policisë – Prishtinë, po ndërmerr të gjitha masat e nevojshme policore për të siguruar rendin dhe qetësinë publike në rajonin e Prishtinës”, thuhet në komunikatën për media.
“Në kuadër të veprimeve operative që po kryen policia me qëllim parandalimin dhe zbulimin e veprave kriminale, sot hetuesit e stacionit policor të Fushë Kosovës, kanë arrestuar dy persona për disa raste të vjedhjeve të veturave”.
Tutje, bëhet e ditur se hetuesit policorë personave të dyshuar u ka gjetur dhe sekuestruar pajisje për hapjen dhe ndezjen e veturave (dyshohet të jenë përdorur në rastet në fjalë).
“Pas intervistimit me vendim të prokurorit të shtetit janë dërguar në mbajtje”.