Moti i keq ndërpreu në minutën e 75 ndeshjen mes Shqipërisë dhe Maqedonisë në Loro Boriçi të Shkodrës, e vlefshme për kualifikueset e botërorit rus.
Shiu i dendur dhe era e fortë bënë të pamundur vazhdimin e ndeshjes dhe gjyqtari i takimit vendosi ndërprerjen e saj.
Ndeshja u ndërpre me rezultatin 1-1. Shqipëria kaloi në avantazh që në minutën 9 të pjesës së parë me anë të Sadikut, që lëvizi mirë në hyrje të zonës pasi mori një top të gjatë nga Hysaj.
Kuqezinjtë dominuan pjesën e parë të takimit, megjithëse ishin të paqartë në fazën sulmuese. Në të dytën Maqedonia nisi të shihte me shpesh nga porta jonë, por golin do ta gjente nga një gabim i yni.
Veseli kthen topin keq pas për mbrojtjen dhe nga kjo përfiton Aliovski që i shmanget Gjimshitit dhe dërgon topin pas shpinës së Berishës, në të njëjtin kend ku në pjesën e parë e dërgoi Sadiku.
15 minuta e mbetura të takimit nuk do të luhen sot. Pritet që vazhdimi i ndeshjes të luhet ditën e nesërme./tch/