Komuna e Prishtinës përsëri ka shkelur Ligjin për prokurimin publik në tenderin për furnizim me naftë për shkollat e kryeqytetit. Kjo është vërtetuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, pas ankesës që ka paraqitur kompania “HIB Petrol”.
Ky operator ekonomik ka bërë ankesë pas anulimit të tenderit për të dytën herë në muajin shkurt të këtij viti nga Komuna e Prishtinës me arsyetimin se kanë konkurruar vetëm 3 operatorë ekonomikë, ku “HIB Petrol” nuk është vlerësuar operator i përgjegjshëm.
Operatorit ekonomik “HIB Petrol”, OSHP-ja ka vendosur t’ia kthejë shumën e sigurimit të ankesës në vlerë prej 500 eurosh, duke vlerësuar se ankesa e tij është pjesërisht e bazuar. Megjithëkëtë, në vendimin e OSHP-së nuk qartësohen shkeljet e Komunës teksa është konstatuar se anulimi i tenderit për furnizim me naftë është konform ligjit.
Pjesërisht të bazuara janë vlerësuar disa nga ankesat e “HIB Petrolit”, e cila si palë e pakënaqur më datën 23 shkurt 2015, ka parashtruar ankesë kundër njoftimit për anulimin e tenderit. “HIB Petrol” pretendon se autoriteti kontraktues, përkatësisht Komuna e Prishtinës, ka bërë shkelje esenciale të dispozitave të Ligjit për prokurimin publik.
Organi Shqyrtues i Prokurimit ka vendosur që operatorit ekonomik “HIB Petrol” t`i aprovohet pjesërisht ankesa e bërë dhe do t’i kthehet tarifa e sigurimit në vlerë prej 500 eurosh