Funeralet më të mëdha në histori (Foto)

E publikuar: 03/06/2018 21:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Njerëzit që u shoqëruan për në banesën e fundit nga kortezhet më të gjata janë Papa Gjon Pali i II-të, Princesha Diana, Xhon Kenedi, Nënë Tereza, Xhorxh Best dhe Elvis Prislli.

Papa Gjon Pali i II-të

Shtypi e ka vulosur ceremoninë mortore më të madhe në historinë botërore në emër të Papa Gjon Palit të II-të.

Dy miliardë shikues, 1 milion njerëz që kanë marrë pjesë në ceremoni dhe krerë shteti nga më shumë se 80 kombe, tregojnë se Papa ishte një nga njerëzit më me influencë dhe jo vetëm të Kishës katolike. Drejtuesi për 26 vjet i 1 miliard katolikëve vdiq në 2 prill të vitit 2005, pas një vuajtje të gjatë. Vlerësohet si një nga kishtarët që udhëtoi më shumë mes njerëzve. Polaku Karol Vojtila, ka udhëtuar në 123 vende të botës, mes tyre dhe në Shqipëri, shkruan Telegrafi.

Princesha Diana

Pas tij, vjen një grua që përloti jo vetëm Britaninë e Madhe, por të gjithë botën. Është princesha Lady Diana, e cila vdiq në një aksident rrugor më 6 shtator të vitit 1997. Sipas të dhënave nga gazetat e kohës, mbi 1 miliard e gjysmë shikues nga e gjithë bota kanë ndjekur funeralin e saj. Më shumë se 1 milion njerëz përbënin kortezhin që shoqëronte arkëmortin me trupin e saj, shkruan Telegrafi.

43 libra me shënimet e ngushëllimit janë mbushur në Pallatin Kensingtons, ku u bënë homazhet dhe 580 mijë mesazhe ngushëllimi elektronike mbërritën në javën pasi vdiq princesha.

Xhon Kenedi

Pas funeralit të Lady Dianës, sipas të dhënave, renditet ai i Xhon Kenedit, presidentit të Shteteve të Bashkuara, i cili u vra më 22 nëntor të vitit 1963. Shifrat janë shumë pak më të ulëta. Rreth 800 mijë njerëz kanë shoqëruar trupin e presidentit amerikan ditën e varrimit.

Në median e kohës, shkruhet se që në funeralin e mbretit të Britanisë së Madhe, Eduardi VII, në vitin 1910 nuk ishin mbledhur më shumë presidentë, kryeministra dhe mbretër, shkruan Telegrafi.

220 personalitete të huaja, përfshirë 19 krerë shteti dhe anëtarë të familjeve mbretërore nga 92 vende, ndoqën funeralin. Një pjesë e madhe e tyre, u kalua pa u vënë re nga masa e madhe e njerëzve. Funerali u ndoq me satelit nga 23 shtete, duke përfshirë edhe Bashkimin Sovjetik.

Nënë Tereza

Nga presidenti amerikan, të dhënat të çojnë në funeralin e Nënë Terezës. U varros në Kalkuta të Indisë, e rrethuar me mbretëresha, kardinalë dhe presidentë, por veçanërisht nga të varfrit dhe të pafatët të cilëve ajo u dedikoi jetën, shkruan Telegrafi.

Rreth 150 mijë njerëz ndoqën funeralin në stadiumin e qytetit, ku pesë dekada më parë, Nënë Tereza filloi të ndihmonte të varfrit.

Xhorxh Best

Pesëdhjetë mijë njerëz më pak, shoqëruan kortezhin për legjendën e futbollit Xhorxh Best. Funerali i tij, u shënua si funerali më i madh në Irlandën e Veriut dhe u transmetua nga BBC UTV, RTÉ, ITV News, BBC News 24, Sky News, Sky Sports News, EuroNews and MUTV.

Elvis Prislli

Të njëjtën “famë” kishte edhe funerali i mbretit të rokut Elvis Prislli, i cili u nda nga jeta më 16 gusht 1977. Flamujt u valëvitën në gjysmë shtizë në Tenezi dhe Misisipi, ndërkohë që mijëra fansa të tij u mblodhën pranë shtëpisë së tij. 100 mijë pelegrinë mbërritën nga e gjithë bota për të shoqëruar trupin e yllit të muzikës në banesën e fundit, shkruan Telegrafi.

Por jo vetëm atë. Presidenti amerikan Jimmy Carter iu drejtua popullit, duke thënë se “bashkë me të u varros dhe një pjesë e kombit tonë”. /Telegrafi/