Fundjavë nën shenjën e skuadrave të mëdha. Me përjashtim të Bayern Munich, të gjitha ekipet me emër fituan ndeshjet e tyre në kampionatet respektive gjatë fundjavës së sapo lamë pas. Në Spanjë, Reali i Madridit dhe Barcelona bënë detyrën. Los Blancos kaluan me rezultatin 3-1 Las Palmasin në “Santiago Bernabeu” falë golave të Iscos, Ronaldos dhe Jeses në pjesën e parë. Nuk fali as Barcelona që me rrjetat e Suarez dhe Neymar fitoi 0-2 në transfertë ndaj Getafes. Gaboi Atletico e Madridit që u ndal në një barazim 1-1 nga Deportivo La Coruna në Riazor dhe tashmë e sheh veten 4 pikë pas Realit e Barcës që kryesojnë La Ligan.
Në Itali, ishte java e skuadrave të Milanos. Interi dhe Milani trimufuan në duelin e dyfishtë ndaj Romës dhe Lazios duke konfirmuar edhe njëherë tjetër sy ky mund të jetë sezoni i tyre. Në “San Siro” një gol i Medel ndali ecurinë prej disa rezultateve pozitive radhazi të skuadrës së Rudi Garcias, ndërsa në “Olimpico” Milani zhvilloi një ndeshje shumë të mirë duke mposhtur 1-3 Lazion, edhe pse për këtë një pjesë të madhe të fajit e kishte portieri bardhekaltërve Marchetti që gaboi në dy nga golat e kuqezinjëve. U rikthye te fitorja Juventusi që falë një finalizimi në sekondën e fundit të Cuadrados mposhti 2-1 në derbi Torinon. Napoli ndërkohë nuk shkoi më shumë se një barazim 0-0 ndaj Genoas, ndërsa Fiorentina mposhti lehtësisht 4-1 Frosinonen.
Në Gjermani pas 10 fitoreve radhazi u ndal Bayerni i Pep Guardiolës që barazoi 0-0 në “Commerzbank Arena” ndaj Frankfurtit. Nga hapi fals i bavarezëve përfitoi Borussia e Dortmundit që falë fitores 1-3 në transfertë ndaj Werder Bremen e ngushtoi në 5 pikë distancën mes tyre në klasifikim.
Në Francë Paris Saint Germain nuk ka rivalë. Edhe pse trajneri Laurent Blanc, zhvilloi një rotacion masiv, parizienët fituan 0-1 në transfertën ndaj Rennes me një gol të Angel Di Marias. Gjetën rrugën e suksesit edhe Lyon e Marseille, që kaluan respektivisht jashtës fushës së tyre me një të njëjtin rezultat si Parisi 0-1 Troyes dhe Nantes.
Në Eredivisie fundjava i buzëqeshi Ajaxit të Amsterdamit. Harkëtarët luajtën tenis ndaj Rodës duke fituar 6-0 dhe falë hapit fals të Feynoord-it që u mund 1-0 nga Ado Den Haag dhe tashmë kryesojnë të vetëm kampionatin holandez në kuotën e 28 pikëve. Triumfuan edhe kampionët në fuqi të PSV Eindhoven në transfertën e De Graafschap me shifrat 3-6./supersport/