Nga Hafiz Gagica
Mashtruesi i elektoratit të LDK-së, Isa Mustafa, njeriu i cili me dredhi dhe dinakëri erdhi në krye të LDK-së dhe të qeverisë së koalicionit të intersit të ngusht grupor, sot po largohet me “bisht nën shalë” dhe me turp të madh.
Sepse, për pesë vite rresht, që kur erdhi në krye të LDK-së tinëzisht, duke e mashtruar elektoratin, vazhdoi rrugëtimin e tij të padenjë dhe të gabuar për një “eksperti” , e lëre më të një burrështetasi në postin e kryeministrit!
Unë, kam shkruar dhe folur qartë qe disa vite resht, e kam shprehur qëndrimin dhe bindjen time të thellë, se ky njeri nuk është i duhur për ta udhëhequr LDK-në dhe as Kosovën! Kam folur dhe e kam shprehur qëndrimin tim politik kundër koalicionit me PDK-në, kundër formës tinëzare që ka përdorur I. M. për t’i kapur majat e partisë dhe qeverisë, duke shkelur vendimin e KP të LDK-së për të mos bërë koalicion me PDK-në. Dhe, ashtu siç i ishte nisur punët me hile, ashtu rezultuan të gjitha, se i kishte bërë vetëm për interesin e tij personal dhe rrethi e ngushtë të servilosur ndaj tij.
Isa Mustafa, veç tjerash sot foli për duar të pastra..!? Paradoksale, kur e dimë se pikërisht ai ka më së paku të drejtë të flet për “duar të pastra”, sepse ai është njeriu i cili së bashku, me ish shefin e tij, ia kanë tjetërsuar popullit të Kosovës rreth gjashtëdhjetë milion euro nga Fondi i Republikës së Kosovës, dhe kjo nuk është diçka që është harruar nga populli dhe mërgimtarët. Fondi ishte dhe mbetet angazhimi dhe sakrifica e pakursyer e mërgimtarëve tanë patriotë, ai u themelua në vitin 1991 me qëllimin hyjnor që ta ndihmojë Kosovën si dhe rrugëtimin e saj drejt lirisë dhe pavarësisë!
Ai sot u shkarkua, e mori ndëshkimin parlamentar gjatë një spektakli parlamentar të orkestruar mirë nga PDK-ja dhe të iniciuar nga opozita parlamentare.
E shkarkuan ashtu siç e kishte merituar. Mbetet që ai dhe grupi i tij të zhytur në mashtrime, manipulime dhe nepotizëm të ikin sa më para nga LDK-ja, dhe që sot t’i hapin rrugën partisë rugoviane, të cilës ia njollosën emrin, parimet dhe filozofinë!
LDK-ja ka kuadro dhe njerëz me vlera, të cilët dinë, mund t’i realizojnë, t’i materializojnë dhe zbatojnë qëndrimet dhe proceset e mëtejme të LDK-së burimore. Janë gjallë njerëzit që me fanatizëm i kanë ruajtur dhe mbrojtur qëndrimet politike dhe vlerat e mirëfillta të kësaj partie.
LDK-ja është themeluar për të mbrojtur interesin nacional, brenda saj ka qindra njerëz që dhanë shumë për qëllimet madhore të kombit. Ata mbesin pranë qëndrimeve të veta me qëllimin e vetëm: dashurinë ndaj kombit dhe atdheut, lirisë dhe demokracisë!