Tani është fundi i një epoke për BlackBerry. Kompania, e njohur për prodhimin e celulareve me tastiere fizike dhe jo me “touch”, ka vendosur të ndalojë prodhimin e tyre.
BlackBerry ka thënë se do të mbështesë kompanitë partnere duke ndërmarrë një sipërmarrje të përbashkët me një kompani indoneziane të telekomit, ku së bashku do të prodhojnë telefona me pamje të ngjashme si BlackBerry.
Gjigandi i teknologjisë tani ka në plan të kthejë vëmendjen e tij drejt ndërtimit të “software”, një lëvizje e cila pritet të sjellë të ardhura, pasi shitjet e telefonave nisën të binin me ritme të shpejta për shkak të konkurrencës së madhe në treg nga Apple dhe Samsung.
Pas publikimit të këtij lajmi, aksionet e kompanisë u rritën me 4%. BlackBerry dikur ka qenë telefoni i preferuar nga bankierët e Wall Street, politikanët apo njerëzit e famshëm, falë sistemit të tij të konsideruar si tepër të sigurt ndaj “hackerave”.
Ndër fansat më të mëdhenj të modelit Blacberry Bold dikur kanë qenë presidenti Barack Obama dhe Kim Kardashian.
/ Top Channel