Nga: Avni Jashari
Të takohemi në Prishtinë për të rivendosur kuptimin e fjalës “politikë” si mjet i dobishëm i cili do të ndryshojë jetën tonë. Të takohemi nën qiellin e hapur, demokratik, të pavarur.
Kjo nuk është një shpallje. Ky është një propozim.
Nuk do të jetë një ngjarje ku do të asistojnë spektatorët.
Nuk kërkojmë që të vini ta mbushni sallën, duartrokitjet, bisedat e kota që ndodhin nëpër korridore gjatë asambleve të tilla.
Ejani në hap së bashku që ta ndërtojmë një projekt inovativ politik, i gatshëm të përballoi çdo sfidë. Një projekt alternativ me politikat e sotit, i hapur dhe vetë-referues, që do të na lidh aq shumë me historinë tonë, si objektiv kryesor për ta shkruar të ardhmen.
Është koha për ta ndryshuar këtë vend dhe kushtet e jetesës së qindra mija njerëzve të prekur nga kriza e madhe ekonomike që ka sjellë politika e gabuar tash e 17 vite radhazi. Ne duam të ndërtojmë një shoqëri alternative, projektuar nga gratë e burrat ku do të dominoj drejtësia sociale. Të bashkohen “kokat” që dinë, duan dhe ja dalin për të mirën e përgjithshme.
Jo vetëm tek ne, por edhe në mbarë Europën, kohëve të fundit ka filluar dëshpërimi ta thej çdo kufi, ky dëshpërim vjen nga politikat e gabuara, korruptive e shantazhuese.
Forca e re politike duhet të lidhet ngushtë me popullin, me dëshirat dhe frikat e tij, me qindra përvoja inovative të cilët nuk janë fare të pakta dhe ka kohë që janë duke kërkuar ndryshim rrënjësor e që në fakt po ashtu janë në pritje të një “profeti” të munguar deri më sot, i cili do t`i shpinte drejt aspiratave të tyre të imagjinuara deri më sot.
Forca e re politike (imagjinare) ka për të ndryshuar shumë: ta rishpërndaj pasurinë, ta reduktoi pabarazinë sociale dhe gjinisë, ta ndërtoi një mirëqenie të re dhe ta eliminoj rrënjësisht pasigurinë… Gjë tjetër me rendësi është edhe rivendosja e dinjitetit të qytetarit, dinjitet ky që tash e sa vite është nëpërkëmbur padrejtësisht.
Është koha për ta ndryshuar stilin e jetës sonë, është kohë për të ndryshuar mënyrën në të cilën janë prodhuar gjërat dhe po ashtu si janë servuar e konsumuar ato.
Të gjitha forcat politike nga pas lufta e së këndejmi e kanë dhënë “provimin” e tyre dhe duhet të ndëshkohen me votën e lirë të qytetarit. Goja e tyre ishte mbushur plot propaganda boshe e frazeologji atdhetare të cilat synimin parësor e kishin ardhjen në pushtet dhe pasurimin e tyre personal e të klanit që i rrethon.
Për forcën e re politike (imagjinare) jo vetëm alternativa ndryshe është e mundur por e nevojshme, dhe kjo alternative është e bazuar në të drejta për barazi. Ne duhet të organizohemi. Së pari duhet luftuar e sanuar të gjitha efektet negative që ka sjell kjo krizë politike dhe njëkohësisht ta kthejmë besimin e ndryshimit rrënjësor tek ata persona që me të drejt i kanë humbur shpresat dhe nuk besojnë më në politikë, të tillët nuk janë të paktë.
Forca e re politike (imagjinare) nuk është thjeshtë vetëm një forcë e cila ka një shenj për ta votuar. Ajo e ka kandidatin e denjë për ta qeverisur vendin për ta ndryshuar atë (vendin) dhe për ta bërë me një profil të besueshëm, duke i sfiduar të gjitha palët tjera politike ekzistuese deri më tani.
Ju ndoshta tani jeni duke bërë pyetje: “ Si do të dukej ky subjekt i ri politik?”, “Si do ta quajnë?”, “Cili do të kishte me qene programi i tij?”, “Kush do të duhej të ishte lideri apo liderja e tij?”, “Si do të zgjidhet drejtuesi i këtij subjekti?”. Këto dhe shumë pyetje me siguri se tani janë duke u vardisur në kokën tuaj. Përgjigjja në këtë rast kishte më qenë: Ne vendosim së bashku.
Forca e re politike (imagjinare) do ti përfshi të gjithë anëtarët e saj në procesin e brendshëm zgjedhor, “një njeri, një votë” duke pranuar të plotë sovranitetin. Një forcë e re politike që vjen nga pjesëmarrja e drejtpërdrejt e mijëra njerëzve. Ndryshimin e politikës përtej formave të demokracisë duke i dhënë fjalën qytetarëve nëpërmjet platformave digjitale për krahasim, bashkë-vendim, bashkëpunim dhe veprim. Por nuk mjafton vetëm kjo, duhet ndryshuar protagonizmi i deritanishëm i partive politike. Duhet dëgjuar e involvuar në proces të gjithë: fshatarë, qytetar,bujq, punëtorë, pleq, të rijnë etj. Duke u bërë thirrje të gjithëve të marrin pjesë në përkrahjen e platformës së re politike e cila është rruga e vetme që do t`i shpërbënte forcat e organizuara deri më tani politike. Përfshirja e të gjithë atyre skeptikëve që denjësisht tani do ta ndjenin vetën të përfaqësuar nga krahu i tyre politik.
Forca e re politike (imagjinare) nuk dëshiron vetëm t`i përmbushë kërkesat e individëve, por edhe të gjitha ato përvoja kolektive e sociale pa dallim moshe e gjinie, feje apo konfesioni fetar.
Kjo, në fakt nga një imagjinatë më shumë se kurrë më parë duhet të bëhet realitet, duke pas parasysh degradimin që i kanë bërë vendit forcat e deritanishme politike. Ne nuk duhet në asnjë forme të jemi pronarët e shtetit tonë, ne duhet të jemi gardianët e të ardhmes së fëmijëve tanë, objektivi parësor sot është themelimi i një subjekti politik nga njerëz të devotshëm të cilët nuk guxojnë të mbesin vetëm spektator në tërë këtë degradim që po i bëhet shtetit tonë i cili po rrezikon t`a humbë edhe shtetësinë e vet, ngase do na mallkoi historia, do na mallkoi kjo rini e cila sot rrugën e vetme e sheh largimin nga ky vend. Një forcë e re e mirëfilltë politike kishte me qenë si një tren i madh ku udhëtarët në të do të mund ta ndryshonin botën që i rrethon.