Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka njoftuar se i kanë nisur trupat e FSK-së në mbështetje të Shqipërisë e cila po përballet me zjarret.
Mehaj ka thënë se ka dhënë direktivën për ngritjen e task-forcës së FSK-së dhe të njëjtit me autorizimin zyrtar nga Kosova janë nisur drejtë zonave të prekura nga zjarri në Shqipëri.
“Kam dhënë direktivën për ngritjen e task-forcës së FSK-së dhe gatishmërinë e tij dhe me dhënien e autorizimit zyrtar nga ana e Komandantes Supreme të Forcave të Armatosura, Presidentes Osmani, tani kontingjenti i FSK-së është nisur drejtë zonave të prekura dhe angazhimit të tyre në operacion në kuadër të forcave reaguese të Republikës së Shqipërisë”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Ai tha se prej fillimit të shpërthimit të zjarreve, krahas operacioneve në vend, ka ofruar mbështetjen e plotë për Shqipërinë
“Prej fillimit të shpërthimit të zjarreve, krahas operacioneve tona në vend, kam ofruar mbështetjen e plotë me kapacitetet tona në dispozicion për mbështetje të vëllezërve dhe motrave tona në Republikën e Shqipërisë”, ka thënë Mehaj.
Kujtojmë se edhe Presidentja Vjosa Osmani, pak më parë njoftoi se ka aprovuar vendimin e sotëm të Qeverisë për dërgimin e trupave të FSK-së në Shqipëri.



















