Në bazën Ushtarake të KFOR-it “Village Italia” në Pejë, në organizim të Kontingjentit të KFOR-it Slloven, të premten është mbajtur gara tradicionale ushtarake “SYNCON 31 CHALLENGE”, në të cilën morën pjesë 14 ekipe ushtarake; shtatë prej tyre ishin nga shtetet anëtare të NATO-s, si: SHBA, Italia, Sllovenia, Polonia, Portugalia, Austria, ekipe nga EULEX-i, kurse FSK-në e përfaqësoi ekipi i Batalionit të Dytë të Brigadës për Reagim të Shpejtë, me ftesë të KFOR-it Slloven.
Qëllimi i mbajtjes së kësaj gare mjaft sfiduese, ishte ngritja e aftësisë profesionale në aspektin individual dhe atë ekipor-kolektiv.
Ekipet pjesëmarrëse në garë është dashtë t’i kalojnë shumë disiplina, si: poligonin luftarak, navigimin, marshimin sfidues, qitje me armë, evakuimi i viktimave dhe tërheqja e automjetit me litar.
“Ekipi i FSK-së, në të gjitha stacionet trajnuese ka treguar rezultate të shkëlqyeshme duke dalë fitues në çdo disiplinë”, thuhet në njoftimin për media të Ministrisë së FSK-së.
Në njoftim theksohet gjithashtu se nga organizatorët është vlerësuar lartë performanca e ekipit të FSK-së, të cilët kanë punuar si trupë e përbashkët dhe falë këtij angazhimi kanë arritur rezultate të larta në të gjitha disiplinat.
Në ceremoninë përmbyllëse mori pjesë edhe zëvendëskomandanti i Komandës së Forcave Tokësore (KFT), Gjeneral brigade Gëzim Hazrolli i cili vlerësoi lartë organizimin e kësaj gare, si dhe përgëzoi ekipin e FSK-së, duke shpreh gatishmërinë dhe angazhimin e tij për përkrahjen dhe mbështetjen e pakursyer në çdo organizim të tillë.
Gjeneral Hazrolli falënderoi edhe komandantin e Kontingjentit ushtarak të KFOR-it Slloven, nënkolonelin Boshtjan Moçnik dhe komandantin e Kampit “Village Italia”, Kolonelin Ciro Forte, për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshëm që janë duke dhënë për FSK-në.
Ndërsa, nënkoloneli Boshtjan Moçnik, KFOR-i slloven, përgëzoi ekipin e FSK-së për paraqitjen e shkëlqyeshme dhe angazhimin ekipor dhe individual.
Kjo garë organizohet çdo vit nga KFOR-i dhe ka karakter sfidues, në të cilën këtë vit, me ftesë të KFOR-it slloven, mori pjesë edhe një ekip i Forcës së Sigurisë së Kosovës.