Forca e Sigurisë së Kosovës ka suspenduar një pjesëtarë të saj pasi që i njëjti në vikendin që kaloi e kishte huazuar uniformën e tij për një dasmë, “pa dijen dhe pa lejen e eprorëve të FSK-së”, thuhet në komunikatën dërguar mediave nga FSK-ja, njofton Klan Kosova.
“Për më tej, çështja dërgohet në Komisionin Disiplinor të FSK-së”.
“Po ashtu, MFSK për këtë çështje, do të iniciojë procedurë penale, ndaj personit që ka veshur uniformën e FSK-së në mënyrë të pa autorizuar, veprim ky që sipas Kodit Penal të Kosovës, paraqet vepër penale, për të cilën parashihet, ndër të tjera, edhe dënimi me burg deri në një vjet”.
FSK-ja ka sqaruar se nuk ka dashur të prononcohet më herët për këtë çështje, pasi ka pritur derisa ta verifikojë nëse lajmi, i publikuar nga shumë media, është i vërtetë.
Gjithsesi, sipas komunikatës, uniforma është solemne dhe i takon një instrumentisti që është i angazhuar në FSK, dhe jo një ushtari të rregullt.
“Asnjë oficerë ose zyrtarë i lartë i FSK-së nuk ka dhanë urdhër, që ndonjë pjesëtar i Njësisë Ceremoniale të marrë pjesë në ndonjë ceremoni private me uniformë solemne”.
“Asnjë oficer ose zyrtarë i lartë i FSK-së nuk dhanë urdhër që ndonjë pjesëtar i Njësisë Ceremoniale ti huazojë ndonjë qytetari uniformën e FSK-së”, thuhet në sqarimin e FSK-së.
Të premten, këngëtari Korab Shaqiri është martuar me Lulkaçela Jasharin nga Kërçova.
Në dasmën e tyre ishte parë shoferi i veturës së çifti me një uniformë të Gardës Ceremoniale të FSK-së.
Ndërsa këngëtari Korab Shaqiri, në llogarinë e tij në Facebook, kishte deklaruar se “veshja nuk është e Gardës”.
“I ngjan veshjes së bendit muzikor, veshje që është porositur enkas për këtë ditë sepse nëpër rrugët e Maqedonisë kam dashur të duken simbolet e Kosovës dhe Flamuri Kombëtar”.
“Sikur unë edhe çdo njeri tjetër në botën demokratike në këto raste mund ta ketë veshjen me simbole Angleze, Franceze dhe Amerikane. Kisha dashur që gazetarët, analistët dhe politikanët fillimisht t’i verifikojnë informacionet e pastaj të flasin e të gjykojnë”, kishte shkruar Shaqiri.