FSK me ceremoni për “Epopenë e UÇK-së”

E publikuar: 05/03/2018 08:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në kazermën “Adem Jashari”, do të fillojë manifestimi me rreshtimin e kuadrateve të FSK-së

Me rastin e 20-vjetorit të rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashar, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e Kosovës nën përkujdesjen e kryeministrit, Ramush Haradinaj më datat 5, 6 dhe 7 mars organizon manifestimi gjithë-popullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Në kuadër të manifestimit të përgjithshëm, sot Forca e Sigurisë së Kosovës nga ora 11:00, organizon ceremoninë për manifestimin e “Epopesë së UÇK-së”, në kazermën e FSK-së “Adem Jashari” në Prishtinë.

Në ora 11:00, në pistën e kazermës “Adem Jashari”, do të fillojë manifestimi me rreshtimin e kuadrateve të FSK-së. Të pranishëm do të jenë udhëheqja më e lartë shtetërore, përfaqësues të institucioneve, familja Jashari, veteranë të UÇK-ës, mysafirë të lartë, qytetarë etj.

Me këtë rast fjalime rasti do të mbajnë presidenti Hashim Thaçi, ministri për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe një anëtar i familjes Jashari.

Sulmi i tretë, që ndodhi më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, mori jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i mbijetoi vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia del që mes datës 5-6 mars të largohet nga rrethina dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila pa dhe përjetoj tmerrin derisa vriteshin anëtarët e familjes së saj. Në 20-vjetorin e rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e Kosovës më 5, 6 dhe 7 mars organizon manifestimin gjithëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. Po ashtu, Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë solemne me rastin e 20-vjetorit të Epopesë së UÇK-së ditën e hënë, me të vetmen pikë të rendit të ditës për shënimin e këtij përvjetori./21Media