Mark Frroku mund të arrestohet sërish.
Kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme për arrestimin e tij, do të shqyrtohet sot në Këshillin e Imunitetit.
Këshilli do të mblidhet sërish në orën 16:00, për të vendosur në lidhje me një tjetër kërkesë të Prokurorisë, për dhënie autorizimi për arrestimin e deputetit.
Pavarësisht se Frroku ndodhet në “Arrest shtëpi”, pas vendimit të Gjykatës së Lartë, kërkesa për arrestimin e tij vjen për një tjetër çështje.
Ditën e djeshme, Prokuroria e Belgjikës u kërkoi autoriteteve shqiptare që të arrestohet deputeti Frroku, pasi akuzohet për një vrasje në Belgjikë në vitin 1999.
Deputeti akuzohet nga autoritetet belge për vrasje me paramendim, e kryer në bashkëpunim, në dëm të shtetasit Aleksandër Kurti.
Ngjarja në fjalë ka ndodhur në Bruksel në vitin 5.03.1999.
Për këtë ngjarje, autoritetet belge akuzojnë 4 shtetas shqiptarë, ndër të cilët edhe shtetasin Mark Frroku, aktualisht deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Të akuzuarit janë gjykuar në mungesë dhe ndaj tyre, pasi në 15 janar 2010, Gjykata për Krime të Rënda e Brukselit ka dënuar secilin me nga 10 vjet burgim.
Por Mark Frroku e ka mohuar përfshirjen e tij në ndonjë krim të mundshëm në Belgjikë.
Edhe avokatët e tij nuk preferuan të prononcohen mbi këtë gjë, duke thënë se kjo është çështje tjetër.
Në rast se merret miratimi nga Këshilli i Mandateve, Frroku rrezikon të arrestohet sërish.
Në njoftimin për shtyp të Kuvendit thuhet, se në ambientet e kuvendit, do të mblidhet Këshilli për Rregulloren, Imuinitetin dhe Mandatet në datën 29 mars në orën në 16:00.
Në mbledhje do të vendoset nëse Prokurorisë do t’i jepet ose jo autorizimi për një arrestim tjetër të deputetit Frroku.
Pas mbledhjes, këshilli do të hartojë një raport i cili do t’i paraqitet seancës plenare, nga ku do të vendoset më pas në seancë parlamentare për arrestim ose jo të Frrokut.