Frikë nga sulmi ndaj nesh, kënaqësi nga sulmi ndaj të tjerëve

E publikuar: 15/07/2015 17:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Arben Idrizi
Ne jemi dyfish më të rrezikuar se të gjithë të tjerët. Rrezik nga sulmet ndaj nesh dhe rrezik nga kënaqësia nga sulmet ndaj të tjerëve. Se ky do të ishte kulmi i kafshërisë.

Krizat, trazirat, revolucionet, luftërat, që të gjitha vijnë duke u manifestuar me disa shenja rreziku të thjeshta dhe të qarta, të rëndomta dhe lehtësisht të injorueshme, dalëngadalë apo me një shpejtësi më të madhe, e ndoshta vetëm në ndonjë përjashtim, me një shpejtësi të paparashikueshme.

Në përgjithësi ato bartin me vete fatalitetin: përmbushjen.

Rëndom (për trazirat, revolucionet, dhunën), është një palë, e organizuar mirë ose thjesht me një qëllim final të njohur, që nis atë rrugëtim, që nis ta bëjë të ditur qëllimin dhe të njohur veten, duke shfaqur një pas një, disi me një vullnet të pathyeshëm dhe me një durim të pazakontë, ato shenja të rrezikut që paraqet.

Bën vaki që ndonjëra nga ndodhitë-shenja të jetë e rastësishme. Bën vaki që ndonjëra nga ndodhitë-shenja të vijë nga ndonjë individ, pa u marrë vesh me askënd, pa iu kërkuar nga askush, duke shkaktuar dëme të ndryshme. Gjithsesi, në përgjithësi, ndodhitë-shenja vijnë pas një planifikimi dhe përzgjedhjeje. Janë të menduara mirë dhe synojnë të arrijnë një qëllim të caktuar, sado i largët që të jetë. Për realizimin e tyre, kërkohet devotshmëri dhe vendosmëri. Gjithherë ka persona që do të jenë të gatshëm për këtë, deri edhe në vetësakrifikim.

Këto kohë, ne jetojmë në frikën dhe ankthin që na e shkaktojnë pikërisht shenja të tilla rreziku të shfaqura nga ekstremizmi dhe fanatizmi islamik. Këto shenja kanë filluar të na shfaqen prej vitesh, e tash pothuajse kemi arritur te faza e fillimit të fatalitetit: përmbushjes.

Prej vitesh kemi parë se si ndodhitë-shenja që na janë shfaqur edhe neve, janë realizuar në vende të tjera. Persona të caktuar, shqiptarë myslimanë me banim në Ballkan apo në vendet e tjera të globit, kanë kryer sulme të ndryshme terroristike jashtë vendbanimit të tyre ndaj banorëve jo myslimanëve, ose tamam edhe vendet myslimane ndaj pjesëtarëve të sekteve të tjera myslimane.

Më poshtë do të përpiqem të sjell një kronologji provizore të disa prej sulmeve terroristike dhe vetëvrasëse të kryera nga shqiptarët myslimanë, të cilat, pra, do të mund të lexoheshin si paralajmërime të sulmeve të tilla në vendet tona, Kosovë, Shqipëri, Serbi, Maqedoni, etj.

Më 2 mars 2011, shqiptari nga Kosova, Arid Uka, i frymëzuar nga ideologjia islamike, kishte vrarë dy ushtarë amerikanë në aeroportin e Frankfurtit.

Në Gjermani, po ashtu, nga një gjykatë e Frankfurit është dënuar një shqiptar tjetër, për shkak të pjesëmarrjes në organizatën terroristike ISIS.

Një shqiptar tjetër, Agron Hasbajrami, është dënuar në New York për mbështetje të terrorizmit.

në ShBA po ashtu janë dënuar për planifikim të një sulmi në një bazë ushtarake vëllezërit Dritan, Shain dhe Elvir Duka, me prejardhje nga Dibra.

Më pas kanë pasuar edhe sulmet më të rënda dhe ato vetëvrasëse.

Sulmin e parë vetëvrasës e ka kryer Blerim Demiri nga Ferizaj. Sulmin kamikaz e ka kryer ndaj ushtrisë irakiane.

Më 25 mars 2014 kryen sulm vetëvrasës kosovari Blerim Heta, në Bagdad, duke lënë të vdekur mbi 50 veta.

Në Irak ka bërë sulm vetëvrasës po ashtu edhe Bujar Avdija, pjesëtar i ISIS, i cili më parë ishte bërë i njohur për opinionin tonë pas kërcënimit me kokëprerje që i kishte bërë deputetit Pal Lekaj, si reagim ndaj urimit të tij për festën e Bajramit.

Së fundmi kanë kryer sulme vetëvrasëse vëllezërit Flamur (20) e Fatlum (23) Shalaku, me banim në Londër. Sulmet, në periudha të ndryshme, të dy i kanë kryer në Ramadi.

Nga ana tjetër, përkrah ISIS-it, sipas të dhënave, luftojnë mbi 200 kosovarë. Më namkeqi prej tyre është Lavdrim Muhaxheri, videot e tmerrshme të vrasjeve të të cilit qarkullojnë edhe nëpër internet.

Javëve të fundit janë bërë publike video të realizuara nga këta luftëtarë, përmes të cilave kërcënohen vendet e rajonit se së shpejti do të ballafaqohen sulmet e ISIS-it.

Disa prej luftëtarëve shqiptarë të ISIS-it veç janë kthyer në Kosovë dhe ata shihen si një rrezik permanent, jo vetëm si sulmues të mundshëm, por edhe si propagandues dhe imponues të terrorizmit.

Para pak ditësh, policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona, me dyshimin se po përgatisnin sulm me pasoja të rënda për popullsinë, te të cilët po ashtu ka gjetur simbole të ndryshme të ISIS-it.

Mendoj se budallenjtë e injorojnë një situatë të tillë të krijuar; hipokritët dhe keqdashësit e mohojnë.

Ka edhe një fenomen të frikshëm që nuk duhet injoruar në lidhje me këtë fatkeqësi që na ka rënë mbi krye. E kemi vërejtur edhe më herët, s’do mend, por tani ne njëfarë mënyre e pamë të thuhet në mënyrë eksplicite edhe nga njëri prej të arrestuarve të fundit për terrorizëm. Sipas tij, sulmit mund të ndodhin në rajon, por jo ndaj shqiptarëve. Ose jo ndaj myslimanëve.

Kam frikë se, me klimën ende të rëndë dhe të frikshme të nacionalizmit dhe urrejtjes, një sulm terroristik ndaj fqinjëve tonë do të ishte i gëzueshëm edhe për pjesën më të madhe të shoqërisë, e cila, natyrisht, s’do ta donte një gjë të tillë në vendin e vet, bile nuk e tumir një gjë të tillë as ndaj popujve ndaj të cilëve ndjen dhe shpreh simpati.

Do t’i gëzonte ashtu siç i gëzoi sulmi i kryer nga ca kriminelë ordinerë në Kumanovë.

Prandaj them se ne jemi dyfish më të rrezikuar se të gjithë të tjerët. Rrezik nga sulmet ndaj nesh dhe rrezik nga kënaqësia nga sulmet ndaj të tjerëve. Se ky do të ishte kulmi i kafshërisë.

/express/