Frikë nga politika? Prokuroria e Shtetit mbyllet për rastin e gylenistëve

E publikuar: 21/06/2018 16:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria e Shtetit vazhdon të mos japë asnjë informacion nëse është duke hetuar rreth rastit të deportimit të jashtëligjshëm të gjashtë shtetasve turq nga Kosova, marsin e këtij viti. Ky akt i shtetit të Kosovës apo individëve në postet më të larta, po vazhdon të kritikohet ashpër nga Brukseli. Së fundi ka zënë vend edhe në dokumentin e BE’së që pritet të miratohet nga shefat e shteteve të BE’së në fund të qershorit.
Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi ishte zotuar se do të jetë i pakompromis ndaj të gjithë atyre që kanë pasur gisht në kidnapimin e më pas dëbimin nga Kosova të gjashtë turqve të identifikuar si gulenistë.

Por, gati tre muaj pas këtij zotimi organi i ndjekjes vazhdon ta mbajë të izoluar këtë rast. Prokuroria e Shtetit ende nuk ka konfirmuar nëse zyrtarisht ka nisur një hetim për ngjarjen që ndodhi në fund të muajit mars të këtij viti.

Sikurse, nuk tregohet as për zyrtarët që janë duke u hetuar për dëbimin e gjashtë shtetasve turq.

Gazeta Express të enjten ka kërkuar informacione nga zyra për informim e Prokurorisë së Shtetit, por të njëjtit sikurse edhe në disa hera tjera gjatë këtyre muajve, nuk kanë dhënë asnjë përgjigje në pyetjet e gazetës për këtë rast.

Nga ana tjetër, vetë Kryeprokurori Aleksandër Lumezi, më 2 prill 2018, në një bisedë për Gazetën Express kishte thënë se hetimi nuk do të kursejë asnjë prej zyrtarëve apo ish-zyrtarëve të shtetit të përfshirë në këtë rast. Ai nuk kishte përjashtuar as hetimin e Presidentit Hashim Thaçi. Ky i fundit ishte akuzuar publikisht edhe nga deputetë të Kuvendit të Kosovës se ka gisht në rastin në fjalë.

“Do të sigurohemi se a ka elemente për ndonjë vepër penale. Në bazë të grumbullimit të informacioneve, ne do të shohim se cilët zyrtarë shtetërorë janë përgjegjës lidhur me dëbimin e shtetasve turq”, ishte shprehur Lumezi, para gati tre muajsh, duke treguar se po pret kërkesën zyrtare nga Kryeministri Haradinaj për të nisur hetimin.

“Ne sigurisht që do t’i sigurojmë të gjitha dokumentacionet dhe në bazë të këtyre do të shohim se ndaj cilit nga këta personave do të nisim hetime”, sqaronte Kryeprokurori Lumezi për Express.

Autoritetet në Kosovë më 29 mars 2018 fillimisht kishin arrestuar e më pas i kishin dëbuar për në Turqi gjashtë shtetas turq, punonjës në shkollat e rrjetit “Mehmet Akif” në Kosovë.

Ky akt i shtetit të Kosovës apo individëve në postet më të larta, po vazhdon të kritikohet ashpër nga Brukseli. Së fundi ka zënë vend edhe në dokumentin e BE’së që pritet të miratohet nga shefat e shteteve të BE’së në fund të qershorit. Aty dënohet mënyra se si janë dëbuar shtetasit turq, pa përfillur asnjë procedurë gjyqësore.

Shkollat “Mehmet Akif” në Kosovë i përkasin Institucionit Arsimor “Gulistan” që drejtohen nga Fethullah Guleni, klerikut fetar turk, të cilin presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan e fajëson për orkestrimin e përpjekjes për grusht-shtet në Turqi, në vitin 2016.

Pas dëbimit të tyre, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte shkarkuar nga detyra ish-ministrin e Brendshëm Flamur Sefaj dhe drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) Driton Gashi.

Gjashtë gylenistët ishin marrë me një avion special nga shërbimi sekret turk MIT, përmes aeroportit të Prishtinës.

Presidenti Hashim Thaçi ishte lidhur ngushtë me këtë rast, bazuar në deklarimet publike të disa nga politikanët dhe shoqëria civile në Kosovë. /GazetaExpress/.