Fried: Që nga 2008-ta s’kam parë zyrtar amerikan më të zemëruar se Hovenieri

E publikuar: 02/06/2023 10:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
GettyImages-Daniel Fried

GettyImages-Daniel Fried

Ish-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Daniel Fried, ka thënë se apetitet e Serbisë për ta rimarrë Kosovën kanë mbaruar me ndërhyrjen e NATO-s, ku foli edhe për situatën aktuale në veri të vendit.

Ai tha se kriza e tanishme është shkaktuar nga gabimet e Qeverisë së Kosovës, e cila sipas tij, ka shkaktuar zemërimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Nuk e përdor lehtë këtë fjalë, por lexova deklaratën e plotë të zotit Hovenier, ambasadorit amerikan në Kosovë, në konferencën me gazetarët. Dhe që nga pavarësia e Kosovës në vitin 2008, nuk mbaj mend që një përfaqësues i qeverisë amerikane të ketë qenë aq i zemëruar, sa dukej ai”, tha Fried për Zërin e Amerikës, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, ai tha se vendimi i Qeverisë së Kosovës ka rezultuar në përkeqësimin e fortë të marrëdhënieve mes ShBA-së e Kosovës, e cila siç tha ai, s’i shërben askujt dhe “është për të ardhur keq”.

“Nuk mendoj se protestat dhe vënia në gatishmëri e ushtrisë serbe janë të dobishme. Por vura re se, në konferencën për mediat, ambasadorit Hovenier iu dha mundësia, që të ngarkonte me përgjegjësi të dyja palët, dhe ai nuk e bëri këtë”.

“Ai u përqendrua tek përgjegjësia e qeverisë së Kosovës. Kjo më la përshtypjen, se ishte një shenjë se Shtetet e Bashkuara janë seriozisht të zemëruara me vendimet e qeverisë së Kosovës. Dhe natyrisht KFOR-i duhej të ndërhynte. Forcat e KFOR-it pësuan lëndime serioze. Nuk e krijoi qeveria e Kosovës këtë situatë. Kjo situatë në përgjithësi është kryesisht, por jo plotësisht, përgjegjësi e serbëve, të cilët duket se ende fantazojnë se Kosova mund t’i kthehet Serbisë, gjë që nuk do të ndodhë kurrë”, tha Fried, përcjell Klankosova.tv