Votuesit francezë sot do të zgjedhin presidentin e vendit, në zgjedhjet që po shihen si përcaktuese për të ardhmen e vendit.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve, francezët do të zgjedhin ndërmjet kandidatit të qendrës, Emmanuel Macron, dhe kandidates të ekstremit të djathtë, Marine Le Pen.
Vendvotimet janë hapur në orën 8:00 dhe do të mbyllen në orën 17:00. Në disa qytete të mëdha, vendvotimet do të mbesin të hapura deri në orën 18:00.
Macron ka votuar së bashku me gruan e tij, Brigitte Macron në qytetin Tourquet në veri të Francës.
Ndërkaq, Le Pen ka votuar në Henin-Beaumont, një qytet i vogël verior.
Ajo ka votuar pa asnjë incident, pasi aktivistet feminist ishin arrestuar pak orë më parë, për shkak se kishin vendosur një pankartë anti-Le Pen në një Kishë.
Deri në orën 12:00, 28.23 për qind e votuesve kanë votuar, ka njoftuar Ministria e Brendshme franceze.
Macron, 39-vjeçar, ka bërë fushatë me një platformë pro-evropiane, ndërkaq Le Pen, 48-vjeçare,ka thënë se dëshiron që Franca të largohet nga BE-ja dhe të braktisë eurozonën.
Fushata zgjedhore ishte shumë e polarizuar, në të cilën Le Pen, e ka përshkruar kundërshtarin e saj, Macron si një elitist të butë ndaj fundamentalizmit islamik dhe kërcënimeve të tjera potenciale, ndaj vizionit të saj për shtetin francez.
“Strategjia e vetme e Le Pen që ta dëmtojë Macronin, ishte që ta përshkruante atë si një kandidat globalist, politikat e të cilit janë të rrezikshme për Francën”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Martin Michelot, zëvendësdrejtor i Institutit për politika evropiane, EUROPEUM.
Në sondazhet e fundit të opinionit, Macron ka qenë në epërsi, që prej përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale më 23 prill.
Përveç dallimeve në politikat e brendshme, dy kandidatët për president të Francës, kanë shumë dallime edhe në politikën e jashtme.
“Le Pen do të dëshironte bashkëpunim më të ngushtë me Rusinë në luftën kundër terrorizmit në Lindjen e mesme dhe gjithashtu, do të rihapte negociatat politike me Iranin, të cilat për shembull, janë në kundërshtim të plotë me qëllimet e Shteteve të Bashkuara… dhe mund të çojnë në një përplasje me Shtetet e Bashkuara dhe presidentin Donald Trump”, ka thënë Michelot.
Le Pen, gjithashtu, dëshiron që vendi ta braktisë NATO-n.
Në anën tjetër, politika e jashtme e Macronit, do të ishte vazhdimësi e kursit të presidentit të tanishëm, Francois Hollande, një socialist, në qeverinë e të cilit, Macron ka shërbyer si ministër i Ekonomisë.
“Macron është një politikan që kurrë në karrierën e tij nuk është marrë me politikën e jashtme… kështu që mund të prisni shumë parashikueshmëri në ekipin e tij”, ka thënë Michelot, duke shtuar një listë të pikave kryesore të politikës së Macronit, duke vënë theksin te “pozicioni i njëjtë i fortë karshi Rusisë, rëndësinë e respektimit të marrëveshjes së Minskut, kundërshtimin e aneksimit të Krimesë” dhe angazhimin e fortë për NATO-n”.
Që prej raundit të parë të zgjedhjeve – ku Macron fitoi 24 për qind të votave ndërkaq Le Pen 21.3 për qind – Macron, lider i partisë En Marche!, ka akuzuar Rusinë për ndërhyrje në fushatën zgjedhore përmes sulmeve kibernetike dhe ka refuzuar që të akreditojë mediat ruse, RT dhe Sputnik, duke i akuzuar se po transmetojnë lajme të rrejeshme.
Moska ka hedhur poshtë akuzat për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale, njëjtë sikur ka hedhur poshtë akuza të ngjajshme të bëra nga Berlini dhe Uashingtoni.
Më 5 maj, fushata e Macronit ka thënë se ka qenë cak i një “sulmi masiv” kibernetik, ku janë vjedhur me më pas publikuar dokumente të fushatës. Nuk ishte e qartë menjëherë se kush qëndronte prapa këtij sulmi.
Partia e Macronit, El Marche, e ka krahasuar sulmin kibernetik ndaj tyre, me atë ndaj Partisë Demokrate në SHBA, ku agjencitë e inteligjencës amerikane kanë akuzuar hakerët rusë.
Le Pen, liderja e Frontit Kombëtar, ka marrë një borxh multimilionësh nga një bankë ruse më 2014 dhe ka mbrojtur aneksimin e gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia. Ajo gjatë fushatës zgjedhore është takuar në Moskë, me presidentin rus, Vladimir Putin.
Macron është mbështetur nga shumica e politikanëve në Francë, nga shumë liderë evropianë si dhe nga ish-presidenti amerikan, Barack Obama.
Edhe pse ka thënë se nuk e mbështetë Le Penin, presidenti amerikan Donald Trump ka thënë për Le Pen se po dëshiron të “forcojë kufinjtë dhe ajo është më e fuqishmja për atë që po ndodhë në Francë”.
Presidenti francez ka një mandat pesëvjeçar. Në zgjedhjet e 7 majit, 48 milionë qytetarë të Francës kanë të drejtë vote. Dalja në zgjedhje pritet të jetë e lartë, ndërsa 77.8 për qind e votuesve të përgjithshëm kanë votuar në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale./rel/ (M.Sadiku)


















