Franca ndalon një fluturim, dyshohet se avioni transportonte viktima të trafikimit njerëzor

E publikuar: 23/12/2023 11:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia në Francë po merrte në pyetje dy burra pasi autoritetet ndaluan një fluturim për në Nikaragua që transportonte më shumë se 300 pasagjerë indianë mbi dyshimin për “trafikim njerëzor”, thanë prokurorët të premten.

Sipas një deklarate nga zyra e prokurorit të Parisit, një informatë anonime sinjalizoi se fluturimi, i cili kishte fluturuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, po transportonte njerëz që mund të ishin viktima të trafikimit të qenieve njerëzore, raporton Deutche Welle në gjuhën angleze, transmeton Klankosova.tv.

Avioni A340, i operuar nga kompania charter me bazë në Rumani, “Legend Airlines”, u ndalua të enjten kur u ndal për furnizim me karburant në aeroportin Vatry në Francën lindore.

“Për 303 pasagjerët dhe ekuipazhin e kabinës po kryhen kontrolle identiteti”, tha prokuroria.

Në deklaratë shtohet se zyrtarët po kontrollojnë edhe kushtet në të cilat po transportoheshin pasagjerët dhe qëllimin e udhëtimit të tyre. Pasi fluturimi u ndalua, pasagjerët e tij u mbajtën fillimisht në aeroplan, por më pas u transferuan në ndërtesën e terminalit, ku iu dhanë shtretër individualë.

Ata ishin vendosur të qëndronin në aeroport gjatë natës të premten, thanë autoritetet lokale.

Në një deklaratë në X, ambasada indiane në Francë tha se autoritetet në Paris i kishin informuar ata për situatën.