Fotoja e photoshopuar e Hazirit në Kanada

E publikuar: 26/12/2015 19:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, rishtazi qëndroi në Kanada, duke e bërë publike edhe një fotografi, ku shihej një billbord i vendosur me fotografinë e tij.

Por, pas një hulumtimi të thjeshtë në internet, del se një fotografi e tillë tashmë ekziston, raporton KTV.

Fotografia gjendet në ueb-faqen e kompanisë “Go West Marketing” në po atë qytet ku ishte kryetari Haziri për vizitë.

Gjithçka në fotografi është e njëjtë, duke filluar me pozicionimin e veturave, dhe e tëra që është ndërruar është vendosja e fotografisë së Lutfi Hazirit.

Në këtë billbord thuhet se kryetarit të Gjilanit i dëshiron mirëseardhje Lethbridge Twinning Society, dhe për këtë, KTV-ja kontaktoi me presidentin e kësaj shoqate, Harold Perversev, për të pasuar një bisedë interesante.

Gazetari: A keni kontribuuar në ndonjë mënyrë për vendosjen e billbordit?

Harold Perverseff: Po ishte e gjitha… si e quani… ne aranzhuam gjithçka këtu…

Gazetari : Pra, ju e paguat?

Harold Perverseff: Po, absolutisht.

Gazetari: Sa ju ka kushtuar?

Harold Perverseff: Ajo është… ne kemi donacione dhe gjëra të tilla, kështu që…

Ai nuk ka dërguar ndonjë fotografi tjetër e as ndonjë faturë me të cilën është paguar për shërbimet.

Para komunikimit me kryetarin Perversev, në ueb-faqe të kësaj shoqate ndodheshin edhe emrat e tre personave dhe pozitat e punës së tyre, që ishin njëri teknik kompjuterësh, tjetri merrej me dizajn të ueb-faqeve dhe tjetri ishte fotograf dhe dizajner.

Derisa pak minuta pas komunikimit me të, pozitat e tyre u fshehën nga ueb-faqja e kësaj shoqate, që kryesisht bënë binjakëzimin mes qyteteve.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, në këtë udhëtim ishte i shoqëruar nga Faton Bislimi, ish-kandidat për kryetar të Gjilanit, dhe drejtori i Shërbimeve Publike, Naser Korqa.

Të dytë, si Bislimi edhe Korça, kanë lidhje me provincën e Albertas ku gjendet qyteti i Lethbridge, pasi i pari ka studiuar në këtë vend, e drejtori Korça, ka të afërm që jetojnë në po këtë provincë, transmeton Koha.net.

KTV-ja ka provuar të marrë përgjigje duke filluar nga kryetari Haziri ose dikush nga zyra e tij për komunikim, por një gjë e tillë nuk është arritur.