Lajmet

Fotografi, emra dhe gjurmë deri te Xhandarmëria: Kush lidhet me sigurimin e Vesellinoviqit dhe Radoiçiqit?

03.07.2026 13:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Print
Fotografi, emra dhe gjurmë deri te Xhandarmëria: Kush lidhet me sigurimin e Vesellinoviqit dhe Radoiçiqit?

Çfarë dihet për dy burra, që dyshohet se janë pjesëtarë të Xhandarmërisë së Serbisë, por që në publik janë përmendur si pjesë e sigurimit të Millan Radoiçiqit dhe Zvonko Vesellinoviqit – të dy në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara?

Ndërsa autoritetet serbe mohojnë se njësia speciale e policisë i ofron siguri dyshes, televizioni N1, duke u thirrur në burimet e veta, publikoi emrat e dy personave: Nikolla Millutinoviq dhe Damjan Vukiçeviq.

Radio Evropa e Lirë e identifikoi Millutinoviqin në shoqërinë e Vesellinoviqit gjatë një tubimi të vitit të kaluar të Partisë Përparimtare Serbe në pushtet.

Radio Evropa e Lirë e identifikoi një person me atë emër dhe mbiemër, bazuar në informacionet e disponueshme publikisht nga mediat dhe rrjetet sociale, si anëtar të njësisë së Xhandarmërisë në Kralevë.

Sipas hulumtimit të Radios Evropa e Lirë, të dy janë me origjinë nga Kosova, ashtu si edhe Vesellinoviq dhe Radoiçiq.

Vesellinoviq dhe Radoiçiq janë nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara për akuza që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Radoiçiq kërkohet edhe me urdhërarrest ndërkombëtar të Interpol-it, nën dyshimet për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë të Kosovës, në shtator të vitit 2023.

Autoritetet në Beograd i hedhin poshtë këto akuza, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se nuk i konsideron ata “kriminelë” dhe se ata nuk ruhen nga pjesëtarë të Xhandarmërisë.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse Nikolla Millutinoviq dhe Damjan Vukiçeviq janë pjesëtarë të policisë speciale, si dhe nëse Millutinoviq ka qenë ende i punësuar në polici në vitin 2025, kur është fotografuar në shoqërinë e Zvonko Vesellinoviqit.

Çfarë tregojnë fotografitë?
Radio Evropa e Lirë e gjeti fillimisht emrin e Nikolla Millutinoviqit në një njoftim të vitit 2021 të Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë.

Sipas këtij njoftimi, ai fitoi garën tradicionale të notit për “Kryqin e Shenjtë”, të organizuar me rastin e festës ortodokse të Ujit të Bekuar në liqenin e Ujmanit, në komunën e Zubin Potokut në Kosovë.

Në fotografitë e publikuara, ai identifikohej si banor i Leposaviqit.

Duke përdorur fotografinë nga ai aktivitet dhe mjete për njohjen e fytyrës, Radio Evropa e Lirë e identifikoi Millutinoviqin si pjesëtar të Xhandarmërisë serbe.

Kjo mbështetet edhe nga një fotografi e publikuar nga mediat lokale të Serbisë në vitin 2022, ku ai shihet si anëtar i ekipit të Xhandarmërisë në një turne futbolli në Zrenjanin.

Një vit më vonë, ai u fotografua me uniformën zyrtare të Xhandarmërisë, me stemën e njësisë dhe mbiemrin e dukshëm në uniformë, gjatë shënimit të festës së Ujit të Bekuar në Beograd.

Në një nga fotografitë e rralla publike të Zvonko Vesellinoviqit, të realizuar në prill të vitit 2025 gjatë një tubimi të Partisë Përparimtare Serbe pranë Kuvendit të Serbisë, Radio Evropa e Lirë e identifikoi sërish Millutinoviqin.

I veshur me bluzë të zezë, xhaketë ngjyrë ulliri dhe kapelë të zezë, ai qëndron përpara Vesellinoviqit.

Radio Evropa e Lirë nuk arriti të kontaktonte me Millutinoviqin, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve lidhur me angazhimin e tij.

MPB-ja serbe nuk u përgjigj as për Damjan Vukiçeviqin, i cili lidhet me sigurimin e Millan Radoiçiqit.

Sipas hulumtimit të Radios Evropa e Lirë, një person me këtë emër, me origjinë nga Kosova, është pjesëtar i njësisë së Xhandarmërisë në Kralevë, në Serbinë qendrore.

Megjithatë, nuk ka konfirmim zyrtar se ai ka shërbyer si pjesë e sigurimit të Radoiçiqit.

Xhandarmëria e Serbisë nuk publikon listën e pjesëtarëve aktivë, pasi identiteti i zyrtarëve policorë konsiderohet informacion i mbrojtur zyrtar.

Çfarë thonë autoritetet?
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 29 qershor se nuk ka informacione që pjesëtarë aktivë të Xhandarmërisë ofrojnë siguri për Zvonko Vesellinoviqin dhe Millan Radoiçiqin.

Ai u përgjigj kështu pas pyetjes së gazetarëve nëse këtë rol e kanë Nikolla Millutinoviq dhe Damjan Vukiçeviq.

Një ditë më vonë, gjatë një vizite në një stërvitje të Xhandarmërisë pranë Beogradit, Vuçiq tha se ishte “interesuar” për këtë çështje dhe përsëriti se Radoiçiq dhe Vesellinoviq nuk ruhen nga pjesëtarë të kësaj njësie.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ai gjithashtu tha se nuk e dinte se disa i konsideronin “kriminelë” personat që “ndiqen penalisht nga vende të tjera, apo nga entitete që nuk janë shtete”, duke iu referuar Kosovës, pavarësinë e së cilës Serbia nuk e njeh.

Në të njëjtën ngjarje ishte i pranishëm edhe komandanti i Xhandarmërisë, Radosllav Repac, i cili po ashtu mohoi se pjesëtarët e njësisë së tij ofrojnë siguri për Radoiçiqin dhe Vesellinoviqin.

Vesellinoviq në Serbi paraqitet si “biznesmen” nga veriu i Kosovës.

Që nga viti 2021, ai është nën sanksionet e Departamentit amerikan të Thesarit, i cili e akuzon për korrupsion dhe krim të organizuar.

Autoritetet në Prishtinë e kanë lidhur atë me organizimin e barrikadave dhe trazirave në veri të Kosovës, si dhe me kontrabandën e naftës, drogës dhe armëve.

Megjithatë, autoritetet në Beograd nuk i kanë hetuar këto akuza.

Në Serbi, Vesellinoviq është gjykuar dy herë për keqpërdorim të detyrës dhe parregullsi të tjera, por në të dyja rastet është shpallur i pafajshëm.

Ai ka qenë partner afatgjatë biznesi i Millan Radoiçiqit.

Ndaj Radoiçiqit është lëshuar një urdhërarrest ndërkombëtar nga Interpol-i, me kërkesë të Kosovës, nën dyshimet se ka organizuar sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, në shtator të vitit 2023.

Edhe pse Radoiçiq e ka marrë publikisht përgjegjësinë për sulmin – në të cilin është vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku – në Serbi nuk është ngritur aktakuzë kundër tij.

Ndërsa Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kërkojnë nga Beogradi që t’i ndjekë penalisht përgjegjësit për sulmin në Banjskë, Radoiçiq vazhdon të jetë i lirë në Serbi, me vendbanim të regjistruar në Beograd.

Çfarë bën Xhandarmëria?
Xhandarmëria e Serbisë angazhohet vetëm me miratimin e drejtorit të policisë.

Detyrat e saj kryesore janë: luftimi i terrorizmit, arrestimi i personave të rrezikshëm të kërkuar dhe rivendosja e rendit publik në situata krize.

Po ashtu, ajo mund të angazhohet për mbrojtjen e objekteve dhe personave me rëndësi jetike për sigurinë e Serbisë.

Sipas Ligjit për Policinë dhe Kodit të Etikës Policore, zyrtarët policorë nuk lejohen të kryejnë aktivitete që krijojnë konflikt interesi ose cenojnë paanshmërinë dhe integritetin e shërbimit.

Shkelje të tilla konsiderohen shkelje të rënda disiplinore dhe mund të çojnë deri te largimi nga puna.

Për mbikëqyrjen e punës së policëve është përgjegjës Sektori i Kontrollit të Brendshëm të Serbisë.

Policët mund të ushtrojnë veprimtari shtesë vetëm me miratimin e eprorëve të tyre.

Ligji për Sigurimin Privat përcakton se shërbimet e sigurimit privat nuk bëjnë pjesë në kompetencat e policisë.

Pavarësisht kësaj kornize ligjore, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi në muajin maj një ligj të ri, sipas të cilit çdo pjesëtar i policisë që “njollos stemën”, do të pushohet nga puna dhe do të arrestohet.

Ky paralajmërim erdhi pasi u arrestua ish-shefi i Policisë së Beogradit, Vesellin Milliq, nën dyshimet se kishte fshehur prova lidhur me vrasjen e një personi që lidhej me një nga grupet kriminale në Beograd./REL/

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!
© infosot.com


6 vite nga Marrëveshja e Washingtonit, Hoti: Kur Kosova udhëhiqej nga një qeveri me orientim të qartë euroatlantik

6 vite nga Marrëveshja e Washingtonit, Hoti: Kur Kosova udhëhiqej nga një qeveri me orientim të qartë euroatlantik

Kusari-Lila beson se do të ketë vazhdimësi të suksesshme të konstituimit të Kuvendit

Kusari-Lila beson se do të ketë vazhdimësi të suksesshme të konstituimit të Kuvendit

Nderimet shtetërore për Mlladiqin, Kurti: Vështirë të flitet në atë shoqëri për pendesë apo distancim nga politika që prodhoi ato krime

Nderimet shtetërore për Mlladiqin, Kurti: Vështirë të flitet në atë shoqëri për pendesë apo distancim nga politika që prodhoi ato krime

Gjini: Kosova tashmë është vetëm jashtë normave të rregullimit të vet kushtetues

Gjini: Kosova tashmë është vetëm jashtë normave të rregullimit të vet kushtetues

BMW tërheq gati 200 mijë vetura, rrezik për zjarr në motor

BMW tërheq gati 200 mijë vetura, rrezik për zjarr në motor

Miftaraj: Historia do ta mbajë mend Avni Deharin si dikush që po tallet me Kuvendin e Kosovës

Miftaraj: Historia do ta mbajë mend Avni Deharin si dikush që po tallet me Kuvendin e Kosovës

Seanca e 9 shtatorit, në rend dite zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve – ftesa që iu dërgua deputetëve

Seanca e 9 shtatorit, në rend dite zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve – ftesa që iu dërgua deputetëve

Kos paralajmëron Serbinë: Kthimi i eshtrave të Mlladiqit do të jetë “provë shumë e rëndësishme” për rrugën drejt BE-së

Kos paralajmëron Serbinë: Kthimi i eshtrave të Mlladiqit do të jetë “provë shumë e rëndësishme” për rrugën drejt BE-së

Aktakuza për krimet e luftës në Prekaz, identifikohen 35 të pandehur për sulmin në lagjen e Jasharajve

Aktakuza për krimet e luftës në Prekaz, identifikohen 35 të pandehur për sulmin në lagjen e Jasharajve

Prokuroria Speciale ngre aktakuzë për krimet e luftës në Prekaz, Isufaj: Është e para për vrasjen e civilëve në familjen Jashari

Prokuroria Speciale ngre aktakuzë për krimet e luftës në Prekaz, Isufaj: Është e para për vrasjen e civilëve në familjen Jashari

AAB shënon një nga mbrëmjet më të veçanta akademike: Gjenerata XXIII diplomon në një ceremoni madhështore

AAB shënon një nga mbrëmjet më të veçanta akademike: Gjenerata XXIII diplomon në një ceremoni madhështore

Akuzat për 53-milionëshin, Lekaj ndihet i pafajshëm: S’kam asgjë për të shtuar

Akuzat për 53-milionëshin, Lekaj ndihet i pafajshëm: S’kam asgjë për të shtuar

Hamiti: Qysh 6 deputetë po e dërguakan vendin në zgjedhje, kur Kuvendi i ka 120 deputetë?

Hamiti: Qysh 6 deputetë po e dërguakan vendin në zgjedhje, kur Kuvendi i ka 120 deputetë?

Osmanit për Kurtin: S’mund të them më se e njoh aq mirë, dikur kam menduar se e njoh

Osmanit për Kurtin: S’mund të them më se e njoh aq mirë, dikur kam menduar se e njoh

Zemaj – Abdixhikut: Ata që marrin rezultat të dobët duhet me lëshu rrugë, e kam thënë gjatë gjithë karrierës

Zemaj – Abdixhikut: Ata që marrin rezultat të dobët duhet me lëshu rrugë, e kam thënë gjatë gjithë karrierës

Në mbështetje të Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit, organizohet protestë simbolike në Lubjanë

Në mbështetje të Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit, organizohet protestë simbolike në Lubjanë