Qeveria shqiptare e ka pranuar “sfidën” e bërë nga Komisioni Europian për të mbyllur negociatat për anëtarësim në 2027-ën, deklaroi të hënën kryeministri Edi Rama nga Sllovenia, ku ndodhet për Forumin Strategjik të Bledit.
Ai ishte pjesë e panelit të liderëve në diskutimin mbi sfidat e zgjerimit të BE, së bashku me Komisioneren për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, Kryeministrin e Republikës së Kroacisë, Andrej Plenković, Kryeministrin e Sllovenisë, Robert Golob dhe Kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajić.
Në fjalën e tij, kryeministri Rama tha se qeveria shqiptare e sheh afrimin me familjen europiane si kulmin e një procesi shtetndërtimi për Shqipërinë.
“Ne nuk po themi që jemi gati për 2027-ën, por falë rekordmenes sllovene të notit kemi objektiva të qarta të hedhura në tryezë nga Komisioni që na sfidojnë të realizojmë të gjitha piketat dhe të gjitha kriteret që t’i përmbyllim negociatat deri në 2027-ën. Pastaj, sigurisht, janë shtetet anëtare dhe është një pjesë tjetër e procesit. S’ka vend për nxitim, sepse besoj që pjesa më e rëndësishme për ne, së paku për Shqipërinë, – Mali i Zi është vend i madh, flas për Shqipërinë – është që ta përdorim procesin e anëtarësimit, si proces shtet ndërtimi, sepse Europa është bekim për vende si tonat, sepse është vendi i vetëm ku mund të marrësh dijet se si të ndërtohen institucionet. Ne nuk kemi pasur kurrë institucione më parë në kuptimin e mirëfilltë dhe ndërtimi i institucioneve është procesi më i vështirë dhe këtu është dallimi me Afganistanin, Irakun apo të tjerë, ku miqtë tanë të dashur nga ana tjetër e oqeanit kanë menduar se me bomba e vlera mund të ndryshosh një vend, por nuk është kështu. Europa është këtu të na mësojë se si të vendosim semaforët, se si të sigurojmë një qarkullim të mirë në jetën institucionale, është diçka e jashtëzakonshme. Ne po ecim përpara, po përparojmë, por në kuptimin e udhëheqjes, tek ne është populli shqiptar. Ne jemi absolutisht euro-optimistë, e duam Europën pa kushte, edhe pse Europa na ka bërë të vuajmë shumë. Ne kemi bindjen e plotë që një ditë do të martohemi. Më në fund i ka lënë ca nga ato kotësirat gjatë viteve “që ju duam, po nuk jemi gati të flasim me ju”, tani po flasim. Kështu që është një hap më tej, siç thotë edhe Marta. Unë them që bazohet në martesë, ajo thotë bazohet në meritë. Kështu që na duhet të meritojmë martesën dhe po punojmë për këtë,” deklaroi Rama.
Komisionerja Marta Kos e vuri po ashtu theksin te zgjerimi si një nevojë historike, por edhe gjeopolitike për Europën, teksa përballet me trazira në kufijtë e vet. Ajo tha se “forca të jashtme” duan që BE-ja të dështojë.
“Zgjerimi është njëlloj bashkimi i Europës që nuk e kemi pasur më parë në historinë tonë. Procesi i anëtarësimit ka të bëjë edhe me faktin si e mbështet publiku apo shoqëria civile. Në 2030-ën të dyja palët duhet të jenë gati vendet kandidate dhe ne. Nuk ka rrugë shkurt. Shteti i së drejtës, të drejtat e njeriut, lufta kundër korrupsionit, media e lirë janë të panegociueshme. Gjeopolitika ka ndryshuar. Tashmë përballemi me faktin që ka forca trazuese të jashtme, siç i përkufizoj unë, që duan të na shohin të dështojmë,” u shpreh Kos.
Të pranishmit vlerësuan përparimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi me reformat, se të dyja vendet vijojnë të mbeten në pararojë me negociatat dhe janë në rrugë të mbarë.
“Me Malin e Zi po ecim përpara. Në qoftë se përfundojmë në 2026-ën në aspektin teknik të bisedimeve, në 2028-ën mund të kemi 28 anëtarët e BE-së. Dhe në qoftë se Edi vazhdon të bëjë atë që po bën në mënyrë të shkëlqyer, në 2029-ën mund të kemi 29 anëtarë. Megjithatë unë nuk kam shumë kohë. Kam vetëm katër vjet, kështu që shpejtoni!” deklaroi Komisionerja Kos.
“Ka ardhur koha të përqendrohemi te e ardhmja ose do të bëhemi më të parëndësishëm. Tri katër vitet e ardhshme do të jenë monumentale sa i takon sasisë së ndryshimit eksponencial që po vjen në Inteligjencën Artificiale, teknologjitë e mëdha. S’mund ta humbasim këtë mundësi. Të heqim barrierat tarifore të brendshme që na parandalojnë të jemi pjesë e tregut të përbashkët,” apeloi kryeministri malazez, Milojko Spajic.

















