Formacioni i Javës në MLS, Gashi përkrah Kaka

E publikuar: 05/04/2016 15:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shkëlzen Gashi nis të lëjë gjurmë në Major League Soccer, kampionatin elitar të futbollit në Shtetet e Bashkuara. Sulmuesi shqiptar u përfshi në formacionin më të mirë të javës së pestë të MLS, ku si partner në repartin ofensiv ka ish-fituesin e Topit të Artë, Ricardo Kaka.

Udhëtimi prej mijëra kilometrash dhe impenjimi në miqësoret me Kombëtaren nuk ndikuan në formën e shfaqur nga 27-vjeçari. Gashi ishte titullar dhe një prej lojtarëve më të rëndësishëm në fushë, në fitoren 1-0 që Colorado Rapids regjistruan përballë Toronto-s së Sebastian Giovinco-s.

Kuqeziu u vlerësua për paraqitjen, ku realizoi 5 goditje drejt portës, krijoi 3 mundësi për shënim, ndërsa ishte 90 për qind i saktë në pasimet e realizuara në fazën sulmuese.

Kjo është hera e parë që Shkëlzen Gashi përfshihet në Formacionin më të Mirë të Javës në kampionatin amerikan, prej transferimit të bujshëm në merkaton e janarit.

Sulmuesi shqiptar qëndroi për 73 minuta në fushën e lojës, për tu zëvendësuar më pas nga Conor Doyle, ndërsa vazhdon të kërkojë golin e parë në MLS, ku është aktivizuar në tre ndeshje.

Ylli tjetër i formacionit ideal ishte Kaka, autor i një goli dhe 2 asistëve në fitoren 4-1 që Orlando City regjistroi përballë Portland Timbers, duke entuziazmuar tifozët e luanëve.