Nën tingujt e këngës së famshme shqiptare “Baresha”, Haxhi Krasniqi të shtunën mbrëma do të ngjitet në ring, në meçin jetësor të tij. Junikasi do ta kërkojë titullin e kampionit botëror përballë kampionit në fuqi, Jurgen Brahmer. Optimizmi është i madh në zemrën e Krasniqit, i cili dëshiron t’i bëjë krenarë gjithë shqiptarët. “Një për të gjithë, të gjithë për një”! Forca Haxhi
Mbrëmja e së shtunës do të jetë më e rëndësishmja në karrierën e deritanishme të Haxhi Krasniqit, ndërsa bashkëkombësit e tij shqiptarë do të kaplohen nga emocionet, sikurse para disa vitesh kur e përcillnin nëpërmjet televizorit Luan Krasniqin.
Kjo për faktin se Haxhi Krasniqi do të ngjitet në ring për ta realizuar ëndrrën e tij dhe dëshirën e shqiptarëve, për ta fituar titullin e kampionit botëror, në versionin WBA, të cilin deri më tani nuk e ka fituar asnjë shqiptar.
Brezin e kampionit botëror aktualisht e mban gjermani Jurgen Brahmer, kundërshtari i fortë boksierit nga Juniku. Përballja mes tyre do të zhvillohet në Rostock të Gjermanisë, ku kosovari njihet me emrin Robin.
“Kjo është sfida më e rëndësishme e jetës sime”, thotë Krasniqi, i cili në dhjetor e mposhti polakun, Dariusz Sek. Por, nuk pushoi shumë dhe i nisi përgatitjet intensive dhe shumë të mëdha për sfidën e radhës, vetëm e vetëm që ta fitojë brezin e kampionit botëror.
“Jam përgatitur maksimalisht për këtë luftë, prandaj dua të fitoj, sepse konsideroj se e meritoj, duke e pasur parasysh punën që e kam bërë”, ka theksuar 27-vjeçari, i cili me optimizëm do të ngjitet në ring, rreth orës 22:30.
Krasniqi: Dua ta bëj krenare Kosovën
Haxhi Krasniqi ka nënshtetësi gjermane. Në rast se triumfon përballë Jurgen Brahmer, fitoren do ta ndajë në dysh: me Gjermaninë, që i dha gjithçka për të mbërritur deri këtu ku është sot, dhe me vendin e tij, Kosovën dhe bashkëkombësit e tij, shqiptarët, të cilët gjithnjë i ka pranë.
“Vendi im, Kosova, ka vuajtur shumë. Shqiptarët janë përkrahësit dhe motivuesit e mi. Unë dua t’i bëj krenarë të gjithë ata. Dua ta shkruaj historinë e boksit gjerman, e njëkohësisht dua të bëhem boksieri i parë shqiptarë që e fitoi titullin”, ka theksuar Haxhi Krasniqi, i cili sa herë që feston, menjëherë vjen në Kosovë, për ta ndarë suksesin e gëzimin me bashkëkombësit e tij. Pas fitores së fundit ndaj polakut Dariusz Sek, Krasniqi zbriti në tokën e Kosovës i veshur kuqezi. Mbajti konferencë për t’i falënderuar për mbështetje shqiptarët, me të cilët e ndau suksesin e tij.
Dzemski beson në Krasniqin
Ndërkohë, edhe trajneri i Haxhi Krasniqit, Dirk Dzemski, me optimizëm po e pret përballjen e kosovarit me kampionin në fuqi, Jurgen Brahmer. Ai është optimist se Krasniqi do ta fitojë duelin. “Kam besim të madh”, ka deklaruar ai.
Brahmer: Titulli mbetet tek unë
Kundërshtari i Haxhi Krasniqit, Jurgen Brahmer, ka shprehur respekt për kosovarin e shkëlqyeshëm. Por, 36-vjeçari thotë se nuk do ta lëshojë brezin e kampionit botëror, të cilin e posedon, duke shprehur kështu bindjen e tij se do të fitojë ndaj Krasniqit. “Krasniqi është një boksier shumë i mirë, ende i ri, por me ambicie të mëdha. Përkundër respektit që kam për të, unë nuk do ta lëshoj titullin. Kjo nuk do të ndodhë. Besoj se edhe këtë sfidë do ta kaloj me sukses dhe titulli do të mbetet tek unë”, ka deklaruar gjermani, Jurgen Brahmer.