Partia Demokratike e Kosovës, e udhëhequr nga Kadri Veseli, ka pësuar keq në zgjedhjet lokale, duke u tkurrur në vetëm pesë komuna, ndër të cilat një më e madhe. Ky është rezultati më i dobët në zgjedhje lokale i këtij subjekti politik që nga themelimi.
Ndërkaq krahasuar me vitin 2007, kur PDK ia doli ta marrë pushtetin në 18 komuna, rezultati i këtyre zgjedhjeve tregon se kjo parti nga një “forcë ndryshimi” është shndërruar në një “forcë dështimi”.
Që nga viti 2007, PDK vazhdimisht ka pësuar rënie sa i përket numrit të komunave që i ka qeverisur. Në vitin 2009 ia doli t’i fitojë 14 komuna, katër vjet më pas dhjetë, për të përfunduar në pesë.
Rezultati i zgjedhjeve lokale është një goditje e rëndë jo vetëm për partinë, por edhe për liderin e saj, Kadri Veseli. Bazuar në rezultatet paraprake, ai ka dështuar në dy komuna, në të cilat ka investuar më së shumti që t’i fitojë, Prizren e Mitrovicë. Natyrisht, Mitrovica dhemb më shumë, sepse është edhe vendlindja e tij.
Në Mitrovicë, por edhe në Prizren e Ferizaj, Veseli zbarkoi me gjithë “makinerinë”, në përpjekje për t’i bindur qytetarët që ta votojnë partinë e tij. Krah tij u panë ministra të PDK’së, të cilët premtonin projekte që do të realizoheshin kur të fitonin kandidatët e tyre. Por as në Prizren, as në Mitrovicë kjo nuk ndodhi. Veseli u thye keq.
** *
Teposhtëzja e PDK’së nisi qysh në zgjedhjet nacionale të 11 qershorit, kur u rendit subjekt i tretë politik në vend, sa i përket fuqisë në Kuvendin e Kosovës. “Forca e ndryshimit”, motoja e zgjedhjeve, nuk bëri punë. Punë nuk kreu as ai që Veseli e quante “tur i dëgjimit”, një fushatë takimesh me qytetarë gjithandej që e nisi vrullshëm, por e përfundoi palavdishëm.
Veseli thoshte se do të kandidonte për kryeministër në zgjedhje, por në momentet e fundit këtë mundësi ia dha Ramush Haradinajt. Rezultati i gjithë kësaj aventure ishte dëshpërues për të.
Për zgjedhjet lokale, ai në Prizren e Mitrovicë ia doli të kandidojë dy figura të njohura, me të cilat pretendonte të arrinte fitore. Por, përtej integritetit e personalitetit të Shaqir Totajt e Valdete Idrizit, problematike doli të jetë trashëgimia politike qeverisëse e PDK’së gjatë dekadës së fundit. Këta kandidatë u penalizuan nga kjo trashëgimi, por edhe nga qasja qeverisëse e partisë.
Përgjimet e “Dosjes së Shefave” kanë treguar më së miri se si funksionon ky subjekt politik dhe në çfarë forme qeveris. Gjatë një dekade në pushtet, PDK është shndërruar në një grup interesi tërësisht klientelist. Kjo i është hakmarrë, pasi që pak nga qytetarët e kanë parë veten të zot që të bëjnë një jetë solide, po që se nuk kanë librezë partiake. Këtë ua ka pamundësuar pikërisht qeverisja e PDK’së.
Ndërkohë, qytetarët e kuptojnë saktësisht kur ndryshimet në parti ose në qeverisje bëhen vetëm sa për të thënë, e nuk janë thelbësore, nuk janë serioze. Nuk mund të reformohet partia duke i anëtarësuar në të disa figura të reja, ndër të cilat ndonjëra deri vonë ka hedhur vrer kundër partisë. Reformimi duhet të jetë thelbësor, e jo kozmetik. Reformimi duhet të bëhet në bazë.
* * *
Rezultati i PDK’së qoftë në zgjedhjet e qershorit, qoftë në këto të tetorit është përgjegjësi e Kadri Veselit. Ai është kryetar i partisë dhe për këtë duhet të jep llogari, bashkë me pjesën tjetër të lidershipit.
Në një deklarim publik, Veseli tha se të gjitha partitë tjera ishin bërë bashkë kundër PDK’së dhe kjo ndikoi edhe në rezultatin e zgjedhjeve. Kjo nuk është tërësisht e vërtetë por, edhe po të jetë, më e udhës do të ishte që Veselit të reflektojë se pse ndodh kjo. A është fajtore vetë PDK për një situatë të tillë?
Që nga viti 2007, PDK me veprimet e veta vazhdimisht ka humbur besimin tek partnerët tjerë të mundshëm qeverisës. Asnjë mandat qeverisës nuk e ka çuar deri në fund, për shkak të kapriçove të liderit dhe një arrogance që reflektonte gjithkah. Në këtë mënyrë, PDK’në refuzuan ta ndihmojnë edhe parti me të cilat ajo bashkëqeveris. Thjesht, nuk i besojnë.
Një ndër njerëzit më të rëndësishëm të PDK’së, Xhavit Haliti, fajin për humbjen e partisë e gjeti edhe tek, siç tha ai, propaganda e madhe kundër kësaj partie. Nuk e di çfarë nënkupton ai me “propagandë”, por faktet publike tregojnë se kjo parti ka keqqeverisur dhe për këtë është ndëshkuar.
Tashmë kur është paralajmëruar procesi i brendshëm zgjedhor në PDK, Veseli duhet të zgjedh ndërmjet reformimit thelbësor dhe atij kozmetik. Më e mira për partinë do të ishte po që se do të qëndronte në opozitë, për t’i dhënë kohë vetes që të reflektojë e të konsolidohet.
Përpara se diku tjetër, përgjegjësinë për dështimin Veseli, Haliti e të tjerët duhet ta kërkojnë tek vetja. Tek qeverisja e keqe, klienteliste e partisë që e udhëheqin. Pak racionalitet nuk do t’iu bënte keq. Gjithçka tjetër është propagandë.